Shfrytëzonin 10 vjeçarin në Tik Tok – Arrestohen në Sarandë, babai dhe gjyshja e të miturit

Shfrytëzonin të miturin 10-vjeçar për përfitime në Tik Tok, arrestohen nga policia gjyshja dhe babai i të miturit. Armando Kumaraku dhe Natasha Rombula akuzohen se publikonin në rrjetet sociale video të fëmijës 10 vjeçar që shfaqej duke sharë dhe përdorur fjalor banal.
Videot në TIK TOK dhe transmetimet e drejtpërdrejta ku përfshihej një i mitur 10 vjeçar që shfaqej duke përdorur fjalë denigruese dhe banale i kushtuan sot lirinë gjyshes së djalit dhe babait të tij. Natasha Rombula 67 vjeçe dhe djali i saj Armando Kumaraku 44 vjeç janë arrestuar nga policia nën akuzën se kanë shfrytëzuar të miturin 10 vjeçar me qëllim përfitimi nga rrjeti social Tik Tok.
Prej 2 muajsh ata janë mbajtur nën vëzhgim ndërsa hetimet e policisë dhe prokurorisë së Beratit vërtetuan abuzimin me fëmijën 10 vjeç, pas denoncimit në dhjetor të vitit të kaluar nga nëna e 10 vjeçarit. Në kallëzimin e gruas, me profesionin mësuese në një shkollë të mesme në qytetin e Kuçovës thuhej se ish bashkëshorti dhe nëna e tij të cilët jetonin në Sarandë postonin video në TIK Tok ku shfaqej djali i saj i mitur.
Madje gruaja prej kohësh kishte kërkuar ndihmë edhe te psikologu për shkak të sjelljes së ndryshuar dhe agresive të fëmijës së saj sa herë kthehej në shtëpi pas fundjavave apo pushimeve të verës që 10 vjeçari kalonte pranë të atit, sikundër ishte përcaktuar me vendim të gjykatës pas divorcit të çiftit 6 vite më parë. Këtë të mërkurë policia arrestoi gjyshen dhe babain e djalit, teksa ata qëndronin në një hotel, që e menaxhonin prej disa vitesh.
/RTSH/