Shkodër, shiste pjesë makinash të kontrabanduara nga Anglia, sekuestrohen 11 makina, procedohet penalisht pronari

Policia e Shkodrës ka goditur një rast të paligjshmërisë, duke proceduar penalisht një person që shiste pjesë automjetesh të kontrabanduara nga Anglia dhe fshihte të ardhurat nga ky biznes.
Sipas policisë, për këtë ngjarje është proceduar penalisht një 31-vjeçar, të cilit i janë sekuestruar edhe 11 automjete tip “Benz”.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, se një shtetas shiste pjesë automjetesh të kontrabanduara, në servisin e tij në fshatin Kryebushat, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në kuadër të operacionit “Informaliteti”, goditën këtë veprimtari të kundërligjshme. Për rastin u referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Shjezë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas kontrolleve dhe verifikimeve në servisin e 31-vjeçarit, shërbimet e Policisë sekuestruan 11 automjete tip “Benz”, të dyshuara të kontrabanduara nga Anglia, me qëllim shitjen në pjesë, aktivitet për të cilin, ky shtetas nuk deklaronte të ardhurat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.