E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirli Polena,rikthehet në Korçë këngëtarja

Një koncert në qytetin e Korçës e ka kthyer edhe një herë në skenë këngëtaren Shirli Polena. Ajo, këngëtarja e talentuar, vajza e bukur me flokët e verdhë, që në fillim të viteve ‘90 u bë e njohur në Shqipëri me anë të muzikës së lehtë, është kthyer kësaj here me një koncert si soprano. Së bashku me tenorin Adrian Xhema, që njëkohësisht është edhe bashkëshorti i saj, Shirli Polena vjen nga Gjermania me mall për publikun "e dashur dhe të shtrenjtë" shqiptar. Edhe një herë me zërin e saj ajo do të përcjellë emocione, sepse muzika për të është paqja e botës dhe atë ka dëshirë ta transmetojë ngado. I kanë munguar ftesat nga Shqipëria, ndaj është vonuar të kthehet, por nuk i thotë "jo" skenës ku u rrit. Krahas asaj të Mynihut, ajo është e gatshme të përballet edhe një herë me ndjesitë që i fal skena e vendit të saj.

Pas kaq kohësh riktheheni në skenë me një koncert. Çfarë do të interpretoni?

Është kënaqësi që të vijmë në qytetin tim, në qytetin e Korçës, dhe të japim një koncert për të gjithë njerëzit tanë të dashur. Veprat në këtë koncert do të jenë të ndryshme, duke filluar nga kompozitorë klasikë si Verdi, Bize, e duke vijuar me kanconetat e bukura e të famshme italiane. Besoj se do të jetë një koncert i bukur dhe publiku do të ngelet i kënaqur. Koncerti i 6 shtatorit në Korçë do të ketë arie të veçanta, që këndohen nga Adriani (Xhema) dhe unë, pjesa e dytë do të jetë me piano, interpretim i disa kanconetave italiane, dhe pjesa e tretë do të jetë me duete të shkëputura nga operat e ndryshme, këngë napolitane etj.

Ky koncert ka qenë një zgjedhje e juaja apo e përbashkët me bashkëshortin tuaj, tenorin Ardian Xhema?

Ne zgjedhjet i bëjmë gjithmonë bashkë. Japim mendime e bashkëpunojmë mjaft mirë dhe përfundimi është pikërisht ky koncert në Korçë.

A keni interpretuar më parë së bashku? Si e ndieni veten krah njëri-tjetrit?

Unë dhe Adriani kemi kënduar bashkë që kur ishim studentë. Ka qenë gjithmonë një kënaqësi e madhe, pasi përfitojmë nga njëri-tjetri e marrim shkëndijat e interpretimit. Kur interpreton me një koleg në krah, duhet të kesh një komunikim të brendshëm, të jesh i lidhur me të, dhe kjo me Adrianin është më e fortë, pasi ne jemi një çift i lidhur ngushtë edhe nga ana e ndjenjës e shpirtit dhe jo vetëm nga arti. Por ka qenë përherë një kënaqësi të punosh dhe këndosh përkrah tij, pasi Adriani është tenor tashmë i njohur për vokalin dhe prezencën e tij skenike, ndërsa unë soprano. Kemi vendosur që këto koncerte t‘i vazhdojmë për vit, çka do të thotë se edhe ai e ka pritur me kënaqësi një ftesë nga Korça.

Përse kjo zgjedhje për koncertin?

Ne patëm një ftesë nga miku ynë, Grigor Cani. Gjithnjë kur kemi ardhur për pushime, na ka sugjeruar të bëjmë një koncert në Korçë dhe tani e kemi pritur me kënaqësi ftesën e tij. Mendojmë se ky koncert ka për t‘u kthyer në një traditë të përvitshme. Çdo shtator do ta përsëritim me një koncert të ri.

Sa i keni ndjekur zhvillimet e veprimtarive kulturore e artistike në Shqipëri e Korçë, dhe a mendoni se ka nevojë për aktivitete?

Të them të drejtën nuk kam qenë shumë e angazhuar për t‘u njohur me aktivitetet dhe jetën artistike në Shqipëri dhe në Korçë, por mesa kam dëgjuar nga prindërit e mi, ka një larmi aktivitetesh dhe kjo më kënaq, pasi vetëm kështu qyteti ynë dhe vendi do të dalë nga ajo errësirë, duke marrë më shumë dritë, e më shumë dritë dashurie, dhe këtë e jep vetëm muzika. Nëpërmjet muzikës shpirti zbutet, çdo gjë bëhet më e bukur e më e thjeshtë, merr më shumë ndjenjë e kuptim, e përçon në të njëjtën kohë këtë dritë dhe dituri. Në çdo këngë ka një tekst që ka një mesazh në vetvete, një mesazh dashurie, humbjeje apo fitoreje. Për mua muzika është paqja e botës.

Ju i keni munguar për një kohë të gjatë publikut shqiptar. Do të ishte me interes që ky publik të dinte diçka më shumë ku jetoni dhe a vazhdoni t‘i kushtoheni këngës? Si vazhdon jeta juaj, karriera artistike përtej kufirit?

Kur u largova nga Shqipëria, është e vërtetë që për disa vite u shkëputa nga jeta artistike në Shqipëri, por mund të them se nuk kam munguar thjesht për fajin tim. Në rast se ftesat ekzistojnë, jam gjithnjë e gatshme të vij. Kam pasur një periudhë dyvjeçare të ngarkuar kur u bëra nënë, kjo ka qenë një periudhë kur unë u shkëputa nga jeta artistike. U largova nga Shqipëria dhe shkova në Paris, ku ndoqa studimet e specializimet me mendimin për të avancuar më tej e për të ecur përpara në karrierën time profesionale. Sigurisht, ndihem shumë mirë për këtë vendim që mora. Më pas u largova drejt Gjermanisë, ku së bashku me Adrianin për ne nisi një jetë e re. Punojmë të dy në teatrin e Mynihut. Jemi shumë të kënaqur, pasi kemi aktivitet të vazhdueshëm profesional dhe artistik e jemi bashkë si në jetë, ashtu dhe në punë. Kjo është fitorja jonë më e madhe.

Si ndiheni profesionalisht në Gjermani, në Teatrin e Mynihut?

Punojmë me shumë kolegë. Jemi shumë të kënaqur me zgjedhjen që kemi bërë. Jemi të aftë ta përballojmë jetesën tonë në mënyrë modeste dhe të ndershme. Kënaqësia më e madhe është që ne punojmë dhe këndojmë duke çuar përpara atë rrugë që kemi nisur e ndërtuar që fëmijë, duke çuar përpara gjithnjë e më shumë ëndrrat e ambiciet tona profesionale.

Keni interpretuar në festivalin e muzikës së lehtë shqiptare, jeni bërë më shumë e njohur për publikun prej tij. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Festivali ka qenë një nga momentet më të bukura. Isha vajzë e re, 17-18 vjeçe në vitet ‘92, kur kam kënduar në Festivalin e Radiotelevizionit dhe u vlerësova me çmim të parë. Ka qenë një moment tepër i rëndësishëm, pasi u ndjeva e vlerësuar dhe ato vite padyshim që i kujtoj me nostalgji. Për më tepër pata një afirmim më të madh në publik dhe në sferën profesionale. Në rrugën që kam ndjekur dhe kam pasur edhe në ato vite, në të njëjtën kohë bëja edhe muzikën e lehtë edhe atë operistike. Mund të them që të dyja kanë ndihmuar dhe plotësuar njëra-tjetrën.

Si nisi rruga drejt këngës? Ju kujtohet interpretimi juaj i parë?

Kam filluar të këndoj qysh 9 vjeçe. Atëherë jam ngjitur për herë të parë edhe në skenën e teatrit "Çajupi" me koncertet e fëmijëve. Më pas u lidha ngushtë me këngën dhe skenën dhe kështu nisi jeta ime artistike me festivalet, koncertet e romancat.

Si i keni përjetuar momentet e para kur u bëtë e njohur, kur emri juaj nisi të lakohej në publik e më gjerë?

Dalja e parë mbetet në kujtesë, por edhe sot, sa herë që dal në skenë dhe publiku të vlerëson e duartroket, kjo është kënaqësia më e madhe që të ngjall emocione. Ndan me publikun ato mesazhe që ti kërkon të përcjellësh me interpretimin tënd dhe kur merr një vlerësim të ngrohtë nga publiku, ke arritur një fitore, një moment të bukur më shumë, pasi ke ndarë me të gjithçka: ndjenjën, artin, interpretimin dhe mesazhin. Kur del në skenë, duhet të japësh diçka dhe të marrësh diçka.

Rridhni nga një familje e njohur mjekësh, por ju, ndryshe nga pjesëtarët e tjerë, keni zgjedhur t‘i kushtoheni muzikës. Prej kujt e keni trashëguar zërin? E keni menduar ndonjëherë të vazhdoni edhe ju traditën e familjes, pra të bëheshit mjeke?

Është e vërtetë që pjesa më e madhe e familjes time janë mjekë, por në familjen time është luajtur gjithmonë muzikë. Nuk na kanë munguar asnjëherë veglat muzikore, pianoja, violina, fizarmonika, kitara. Babai im, që i vogël është angazhuar në grupet artistike në Korçë, shoqëronte me fizarmonikë dhe i bie shumë mirë pianos. Motra gjithashtu ka studiuar për piano e tani është mjeke. Gjithnjë në familjen tonë, muzika dhe mjekësia kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën. Në të vërtetë, ajo që u shkëput nga linja e mjekësisë dhe mbeti te muzika isha unë. Por jam shumë e lumtur që kam bërë këtë zgjedhje, pasi kam gjetur veten këtu.

Nuk e kam ndjekur këtë traditë. Mamaja ime ka kënduar shumë bukur qysh fëmijë. Them se e kam trashëguar zërin nga mamaja.

Ju ka bërë të lumtur kënga? Çfarë është ajo për ju?

Kënga dhe muzika për mua janë vetë kuptimi i jetës. Për mua muzika dhe kënga kanë qenë të parat për nga rëndësia, pa to nuk kishte kuptim jeta. Por në momentin që u bëra nënë, muzika kaloi në plan të dytë, kuptova se nuk kishte atë forcë të madhe, atë kuptim të madh që ka të qenit nënë. Për mua, si muzika, ashtu edhe familja, janë shumë të rëndësishme, dhe kur gërshetohen bashkë, sjellin momente akoma e më të bukura.

Pjesë e repertorit tuaj nuk është vetëm muzika e lehtë, siç publiku shqiptar ju njeh më së shumti, por edhe ajo klasike, sepse ju jeni një soprano. Ku e ndieni veten më mirë dhe më e plotësuar?

Sigurisht, përderisa kam zgjedhur muzikën operistike, ndihem më mirë këtu. Nuk dua të them që muzika e lehtë nuk më bën të lumtur, por kur kam debutuar në muzikën e lehtë, ka qenë edhe më shumë një shtysë e preferencë e moshës. Kur je i ri, tenton dhe i provon të gjitha, pastaj bën një zgjedhje se ku ndihesh më mirë dhe ku mund të japësh më shumë nga vetja jote. Unë e ndjej veten shumë herë më mirë në opera. Opera për mua, përveç të kënduarit, ka edhe pjesën e interpretimit, që mua më pëlqen shumë. Është si një teatër. Më pëlqen shumë të interpretoj, të luaj me fjalët. Më pëlqen shumë fjala. Kur marr në dorë një opera ose një arie, hyj në brendësi të saj, madje kur është në gjuhë të huaj përpiqem ta përkthej që të kuptoj botën e fjalës, se vetëm kështu mund ta zbërthej dhe ta interpretoj. Opera është shumë e bukur, pasi ka edhe muzikën, edhe aktrimin brenda saj.

Çfarë ju ka falur Shqipëria që nuk e keni gjetur përtej kufijve dhe e kundërta?

Shqipëria më ka falur momentet më të bukura të jetës. Një fëmijëri tepër të bukur me aktivitete të shumta e një rini të lumtur. Por ajo që është e vështirë në Shqipëri është se artisti nuk e gjen dot vetveten, nuk ka një siguri profesionale, qoftë edhe financiare për të siguruar jetesën nga arti që bën. Ndërsa në Gjermani një artist siguron jo vetëm një karrierë profesionale, por edhe një jetesë të mirë. Jeta e një artisti bëhet më e thjeshtë, ndërsa këtu te ne nga ana materiale një artist nuk vlerësohet sa duhet. Por përsëri ne jemi shumë të lidhur me vendin tonë, jo vetëm pasi këtu kemi njerëzit e dashur, por publiku shqiptar është një publik i shtrenjtë dhe i dashur, edhe pse për mua publiku gjerman mbetet më i miri, pasi di ta vlerësojë artin.

Çfarë keni në projektet dhe planet tuaja? A keni parashikuar koncerte në Tiranë ose në Korçë për publikun shqiptar, të cilit i keni munguar për një kohë të gjatë?

Kënaqësia do të ishte e madhe. Nuk ka qenë për fajin tim që nuk kam ardhur e angazhuar, por në fakt kanë munguar ftesat. Bashkëshorti im ka qenë më shumë i pranishëm, pasi iu dha mundësia me tre tenorët. Edhe unë do ta pranoja me shumë dëshirë e kënaqësi të vija në një koncert, apo në një eveniment artistik. Përveç mungesës së ftesave, fakti që jetojmë jashtë kufijve na ka krijuar tashmë një jetesë të re. Çdo gjë ka nisur nga e para, si një fëmijë që hedh hapat e parë, bën lëvizjet e para e thotë fjalën e parë, kështu është edhe jeta jashtë vendit tënd. Çdo vend ka kulturën e mentalitetin e tij dhe duhet kohë për t‘u përshtatur e për të bërë hapat e duhur. Me Adrianin kemi arritur të gjejmë veten tonë, megjithatë do të më pëlqente shumë një ftesë për një koncert, ashtu siç pritëm ftesën për koncertin në Korçë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›