E Diel, 1 Nëntor 2026

Shisnin lëndë narkotike pranë shkollave në Shijak dhe Manzë, 17 të arrestuar, sekuestrohen edhe armë zjarri

Finalizohet në Durrës operacioni i koduar “Cleaning 5”, pas hetimeve disamujore të zhvilluara nga Policia dhe Prokuroria, me objektiv goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë.

Gjatë operacionit u sekuestruan sasi të konsiderueshme heroine, kokaine dhe cannabis sativa, si dhe 3 armë zjarri – 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov, para cash, automjete dhe telefona celularë.

Policia ekzekutoi masat e sigurisë për 17 shtetas, ku për 13 prej tyre u vendos masa “Arrest në burg”, ndërsa për 4 të tjerë “Arrest në shtëpi”. Një person tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, të dyshuarit, banues në Durrës, Kavajë, Shijak dhe zonat e Manzë, Sukth dhe Xhafzotaj, siguronin dhe shpërndanin lëndë narkotike kryesisht pranë shkollave në Shijak dhe Manzë.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me forcat Operacionale, “Shqiponja”, Stacionin e Policisë Manzë dhe Komisariatin e Policisë Shijak, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›