Shiste kanabis në doza, arrestohet 26-vjeçari në Shëngjin

Një 26-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga forcat e posaçme “Shqiponja”, pasi u kap duke shpërndarë lëndë narkotike në zonën e Shëngjinit.
Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën të riut disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis. Në vijim, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u sekuestrua edhe një tjetër sasi e të njëjtës lëndë narkotike.
Burime zyrtare bënë të ditur se në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi R. L., 26 vjeç, banues në Shëngjin, i akuzuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë njofton se kontrollet në territor do të vijojnë, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
/rtsh.al/