E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimet rrezikojnë Shkodrën, në zonat malore dëbora vështirëson qarkullimin! Gurë e dhera mbi rrugë

Shkarkimet nga Hidrocentralet e Kaskadës së Drinit vijojnë prej 3 ditësh, ndërsa gradualisht po përmbytin pjesë të Nën Shkodrës.

Rruga e fshatit Obot është e pakalueshme, me ujin që ka arritur lartësinë 40 cm. E njëjta situatë është edhe në njësinë administrative Berdicë dhe Ana e Malit.

Aktualisht, prurjet natyrore në Kaskadën e Drinit janë të larta. Në Fierzë ato arrijnë në rreth 2400 metra kub ujë në sekondë, në Koman 1200 m³/s, ndërsa në Vau i Dejës 400 m³/s.

Ndërsa niveli i ujit vijon të rritet në të tri liqenet.

Në Bashkinë Vau i Dejës, në njësinë administrative Bushat, rreth 15 familje janë të bllokuara nga uji. Ndërsa në Malësi të Madhe, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk ka emergjenca, por në fshatra njerëzit po përballen me shkarjen e dherave si dhe rënien e gurëve në rrugë.

Më problematike është situata në Dukagjin,  pasi prej 5 ditësh ai është izoluar nga shembjet e rrugës, ndërsa aksi Bogë – Theth është bërë thuajse i pakalueshëm nga dëbora dhe ngricat.

Po ashtu në aksin Burrel – Rrëshen, ka shembje shkëmbinjsh e dherash. Pranë urës së Urakës një masiv shkëmbor ka rënë në mes të asfaltit.

Ekipet e pushtetit vendor janë në terren për të rikthyer në normalitet lëvizjen e banorëve të fshatrave drejt zonave urbane.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›