E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet Drejtoresha e Gazetës Shqiptare, Anila Basha

Pronarët e rinj të grupit mediatik ngjallin panik tek gazetarët. Basha shkarkohet se ka shkuar në punë me vonesë, ndërsa Irfan Hysenbelliu dhe Artan Santo janë de facto kryeredaktorë në Gazeta Shqiptare dhe News 24

Drejtoresha e Gazetës  Shqiptare, Anila Basha, është shkarkuar disa ditë më parë nga detyra, dy javë pasi  grupi mediatik italian Edisud, u ble nga dy biznesmenë të afërt me kryeministrin Berisha dhe ish zëvendëskryeministrin Ilir Meta. Artan Santo dhe Irfan Hysenbelliu, sipas gazetareve të Gazetës Shqiptare janë kthyer de facto në kryeredaktorë të këtij grupi mediatik dhe po përdorin shembullin e shkarkimit të Anila Bashës për vonesë në mbërritjen në redaksi, si presion për gjithë gazetarët e tjerë që duhet të kuptojnë se si duhet të shkruajnë dhe çfarë të raportojnë.

Shkarkimi i Bashës, sipas një prej kolegëve të saj në Gazeta Shqiptare, që nuk guxon të identifikohet, është një leksion i qartë për ne të tjerët. Basha ka 15 vjet përvojë në gazetari, dhe prej vitit 2002 punon te Gazeta Shqiptare. Nga viti 2007 ajo ishte drejtoreshë e kësaj gazete, e cila ka pasur suksese në tregun shqiptar.

Marrja brutale nën kontroll nga dy biznesmenë të afërt me qeverinë ngjalli shqetësim të bazuar një muaj më parë në radhët e shtypit dhe opozitës. Operacioni i blerjes së këtij grupi mediatik u kritikua fort nga opozita, për shkak të dyshimeve mbi mënyrën  e financimit. Artan Santo është drejtor i bankës Kredins, e cila ka dhënë kredi për blerje të aksioneve për Irfan Hysenbelliun, që është  një prej ortakëve të grupit të ri medatik . Familja Berisha ka njerëz të afërt që kanë aksione në këtë bankë, njerëz që qëndrojnë dhe pas pronësisë së ish-televizonit të Partisë Demokratike ATN1, tashmë me emrin e ndryshuar  SCAN TV.

Irfan Hysenbelliu njihet si pronar i grupit mediatik Panorama dhe disa bizneseve të tjera në vend, kryesisht ndërtim dhe pije alkoolike. Ai është ndër biznesmenët më të kredituar nga bankat shqiptare dhe investimi i tij i ri në media është parë si një aleancë e tij me pushtetin për të tejkaluar krizën financiare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›