E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkohet drejtori i Butrintit. Nuk mbante pastër Parkun

Cerova: Jam shprehur kundër reformës për Parqet Kombëtare


"Unë jam duke punuar dhe nuk më ka ardhur asnjë shpresë zyrtare për shkarkimin nga detyra", tha dje, Ylli Cerova, drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit kur u pyet se cili mund të ishte sipas tij motivi i këtij vendimi të ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhefaraj.


Mbrëmjen e djeshme, Zyra e Shtypit e Ministrisë së Turzimit, Kultruës, Rinisë dhe Sporteve, njoftoi në mënyrë telegrafike se arsyeja e pezullimit nga detyra e drejtorit të Parkut të Butrintit, Ylli Cerova "është keqadministrimi i Parkut të Butrintit. Arsyeja e këtij pezullimi ka qene për shkak të mungesës së pastërtisë në Parkun e Butrint.


Megjithëse Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Ferdinand Xhaferaj ka paralajmëruar dhe në takime të posaçme, të merren masa që pastërtia të jetë primare sidomos gjatë sezonit turistik. Urdhër ky i pazbatuar nga Z. Cerova ku është vënë re papastërtia, objekte të ndaluara në brendësi të parkut si dhe shkelja e rregullave në lidhje me mirëmbajtjen e vlerave arkeologjike të parkut."


Në komentin që ka bërë për "Shekullin", Cerova shton se vendimi ka lidhje me qëndrimin kundër që ai ka mbajtur ndaj reformës të ndërmarrë në trashëgimi. "Jam shprehur kundër reformës për parqet kombëtare dhe jam kundër centralizimit të tyre, kundër menaxhimit nga një dorë e vetme."


Cerova, i cili erdhi në këtë detyrë në vitin 2005, ishte shprehur para pak ditësh se do të ishte në krye në parkut edhe dhjetë vjet të tjerë. Kurse tani mendon se do të vazhdojë të bëjë punën si studiues i trashëgimisë.


Ministria e Kulturës njoftoi se deri në emërimin e drejtorit të ri, është ngarkuar për mbarëvajtjen e administrimit, Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›