E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet çmimi i barnave, përplasen institucionet

Drejtori i QKKB-së, Jakaj kundërshton INSTAT për rritjen e çmimit të barnave. Urdhri i Farmacistëve dhe kompanitë japin argumente pse u rritën çmimet


Çmimi i barnave është rritur për shkak të kursit të këmbimit valutor, por edhe rritja e çmimit të lëndës së parë për kompanitë prodhuese të banave ka sjellë çmime më të larta të barnave.


Ndryshe nga çka deklaroi një ditë më parë Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj se çmimi i barnave këtë vit është ulur nga 25% deri me 50% duke hedhur poshtë të dhënat e INSTAT të publikuar nga mediat janë vet firmat farmaceutike, por edhe institucioni Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë me president Arjan Jaupllarin që shpjegojnë për gazetën fenomenin e rritjes së çmimit të barnave.


Çmimet

"Nuk arrij të kuptoj se ku bazohen deklaratat se është ulur çmimi i barnave. Duhet të dini se mjafton të thuash se një vit më parë kursi i këmbimit të Euros ishte 123.1 dhe këtë vit është 133.5 madje edhe më shumë.


Si mund të ulet çmimi i barnave në këto kushte",- thekson Arjan Jaupllari duke shpjeguar se edhe nëse ndonjë kompani farmaceutike ka bërë uljen e çmimit është pikërisht kursi i këmbimit valutor dhe faktor të tjerë që ndikojnë në rritjen e këtyre çmimeve.


Sipas tij shqetësimin e ngritjes së çmimeve e pranojnë vet farmacistët dhe të sëmurët sidomos ata që janë kronike dhe duhet ti bëjnë barnat në mënyrë periodike. Ndërkohë kompanitë farmaceutike shpjegojnë se një faktor tjetër i rëndësishëm në rritjen e çmimit të barnave është edhe rritja e lëndës së parë në tregun botëror apo ehe faktor të tjerë që rrisin koston e prodhimit të barnave.


Këtë argument e mbështet edhe kreu i Urdhrit të Farmacistëve Jaupllari i cili thekson se bëhet fjalë për rritjen e çmimit të shumicës së barnave.


"Duhet të dini se sidomos kompanitë prodhuese farmaceutike vendase koston e prodhimit të barnave e kanë më të lartë. Nëse lënda e parë është rritur, nëse edhe çmimi i energjisë elektrike është rritur atëherë a mund të më thoni si mund të ulet çmimi i barnave ku shpenzimet për t'i prodhuar është më i lartë"- pohon Jaupllari.


QKKB


Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (QKKB) ka dalë dje për të kundërshtuar po një institucion shtetëror që është INSTAT. Drejtori i QKKB-së, Besnik Jakaj sqaroi dje se pas kontakteve që ka pasur me INSTAT këta të fundit kanë pohuar se nuk kanë bërë një studim mbi rritjen e çmimit të barnave siç pretendohet në disa media.


Megjithatë Jakaj hedh duke hedhur poshtë edhe argumentet e firmave farmaceutike apo të Urdhrit të Farmacistëve këmbëngul se çmimi i barnave është ulur madje deri në 50%. "Si pasojë e shtimit të alternativave dhe futjes së shumë kompanive farmaceutike ne treg çmimi ka ardhur në ulje",- pohon Jakaj.


Sipas tij efekti i uljes është ndjerë në treg, por çmimet mund të luhaten si pasojë e blerjes së ilaçeve me euro dhe shitjes me lekë. Përsa u përket abuzimit me çmimin e ilaçeve nga farmacistët, drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave sqaron se kur medikamenti shoqërohet me pullë atëherë çmimi është i vendosur në të, ndërsa produkte të kompanive të ndryshme farmaceutike kanë çmime të ndryshme.


Barnat kontrabandë, ndëshkohen farmacitë


Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ka ushtuar një sërë kontrollesh në farmaci duke vendosur edhe ndëshkime për subjektet që kanë shkelur ligjin. Gjatë këtij viti ai pohon për gazetën se janë ndëshkuar më shumë se 25 farmaci për shkelje të ligjit madje shumë prej tyre janë pezulluar.


"Tregtim të banave pa pullë sigurie çka do të thotë se këto barna janë kontrabandë apo edhe mungesë e drejtuesit teknik të farmacive janë disa nga shkeljet e konstatuara në farmaci ndaj të cilëve janë marrë edhe masa ndëshkimore të rënda",- pohon Jakaj.


Megjithatë ai theksoi se nga viti në vit barnat kontrabandë po evitohen falë punës së inspektimeve. Sipas tij nëse në vitin 2005 janë vendosur rreth 25 milion pulla sigurie në barna këtë në vitin 2009 janë vendosur rreth 45 milion pulla sigurie në barna dhe kjo jo se është rritur sëmundshmëria apo konsumi por është rritur evitimi i barnave kontrabandë


"Duhet të dini se në masën 100% barnat kontrabandë nuk mund të zhduken sepse ky fenomen ndodh edhe në botë, por e rëndësishme është se ky fenomen është luftuar duke u evituar sa më shumë",- thekson Jakaj.


Sipas një studimi (ILO), papunësia tek të rinjtë nga 15 deri në 24 vjeç këtë vit po arrin nivelin më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore.


Kriza ekonomike, ILO jep alarmin për papunësinë e të rinjve


Të rinjtë dhe ata që sapo hyjnë në jetën profesionale janë grupi më i prekur nga kriza ekonomike globale. Sipas një studimi të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), papunësia tek të rinjtë nga 15 deri në 24 vjeç këtë vit po arrin nivelin më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore.


Raporti i ILO-s tregon se si papunësia, nënpunësimi dhe shkurajimi kanë një ndikim negativ afatgjatë tek të rinjtë, duke iu rrezikuar atyre perspektivat e punësimit në të ardhmen. Studimi gjithashtu vë theksin në koston e plogështisë tek të rinjtë, duke vërejtur se "shoqëritë humbasin investimet e tyre në arsim".


Qeveritë dështojnë në mbledhjen e detyrimeve për sistemet e sigurimit shoqëror dhe janë të detyruara të rrisin shpenzimet për shërbimet ndihmëse. "Deri në fund të vitit pritet të jenë 81 milionë të rinj të papunë, ose plot 13% e kësaj grupmoshe.


Ata rrezikojnë të ndihen të padobishëm, gjë që mund të çojë në më shumë kriminalitet, dhunë dhe konflikte të tjera",- bëhet e ditur në raportin e ILO-s duke u shtuar se kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm, megjithatë përmirësimin e pritshëm.


Të prekur janë në radhë të parë të rinjtë në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme por edhe vendet që nuk janë anëtare të BE-së.


Por edhe në SHBA dhe vende si Spanja apo shtetet baltike, papunësia tek të rinjtë është rritur dukshëm. Sipas këtij raporti, vajzat hasin më tepër vështirësi sesa djemtë për të gjetur punë.

Shkalla e papunësisë për të rejat në 2009-ën ishte 13.2 për qind, krahasuar me 12.9 për qind që ishte shkalla për të rinjtë (një diferencë prej 0.3 pikë përqindje, e njëjtë me diferencën gjinore të vërejtur në vitin 2007


Raporti, prioritet për fëmijët në nevojë

Të dhënat e pamjaftueshme për kategoritë e ndryshme të fëmijëve, vlerësimi dhe promovimi i eksperiencave të OJF-ve në ofrimin e shërbimeve komunitare, bashkëpunimi më i qëndrueshëm me pushtetin lokal në procesin e vlerësimit të nevojave si dhe në vendim-marrje për ngritjen e shërbimeve.


Këto janë disa nga problemet kryesore që "Qendra për Përgjegjësi të Barabarta" në bashkëpunim me UNICEF kanë evidentuar vlerësimin e nevojave për shërbime sociale për fëmijët në nevojë.


Disa prej prioriteteve të evidentuara sipas tyre është ndikimi i krizës globale në kthimin e emigrantëve në Shqipëri dhe përshtatja e fëmijëve të tyre në vendin e origjinës, sidomos sa i përket procesit mësimor dhe edukativ si edhe plotësimi me orë shtesë për mangësitë në mësimin e gjuhës shqipe dhe ecurinë e tyre shkollore apo edhe analfabetizmi dhe braktisja e shkollës.


"Organizimi i kohës së lirë dhe mbështetja dhe promovimi i talenteve të reja,
fëmijët jetimë dhe me aftësi të kufizuara, fëmijët e trafikuar si dhe fëmijët që punojnë do të jenë prioritet",- bëhet e ditur nga "Qendra për Përgjegjësi të Barabarta" .


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›