Shkelje e barazisë në tendera, SPAK çon për gjykim ish-kryebashkiaken e Patosit

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) ka dërguar për gjykim dosjen hetimore në ngarkim të sh-kryetares së bashkisë së Patosit, Rajmonda Balilaj dhe 6 të pandehurve të tjerë.
SPAK sqaron se faktet penale të hetuara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë të bëjnë me dy procedura prokurimi të organizuara në vitin 2021, nga bashkia Patos si autoritet kontraktor.
SPAK njofton se të Balilaj dhe tre zyrtarët të tjerë të pandehur, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë në procedurat e prokurimit. Ndërkohë tre të pandehurit e tjerë të akuzohen për “Falsifikim dokumentesh”.
Të pandehurit:
- Rajmonda Balilaj (në kohën e kryerjes së veprës penale, me detyrë ish Kryetare e Bashkisë Patos);
- Anisa Petani (në kohën e kryerjes së veprës penale, më detyrë Nënkryetare e Bashkisë Patos dhe anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave);
- Shkëlqim Beqiraj, (në kohën e kryerjes së veprës penale, më detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Patos dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave)
- Enirjada Rizaj (në kohën e kryerjes së veprës penale, më detyrë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave);
Të katërt, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (përpara ndryshimeve me ligjin Nr.43/2021), e 25, i Kodit Penal, e kryer dy herë, në procedurat e prokurimit “Ndërtim emergjent i murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër REF-89301-03-08-2021, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos dhe procedurën e prokurimit “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër reference REF-86952-02-12-2021, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos.
- Vangjel Nushi (në kohën e kryerjes së veprës penale, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Shërbimeve Publike, pranë Bashkisë Patos), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
- Arben Manoku (në kohën e kryerjes së veprës penale, me detyrë Inxhinier Projektues në zyrën e projekteve pranë Bashkisë Patos), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
- Boreta Murati (në kohën e kryerjes së veprës penale, me detyrë Specialiste në Drejtorinë e Urbanistikës Bashkia Patos), akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.
/a.f/