Shkëmbim automatik i të dhënave tatimore, rregulla të reja për grupet shumëkombëshe

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Kompanitë që kanë aktivitet biznesi në më shumë se një shtet, (shumëkombëshe) që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri do të kenë detyrime të reja për raportimin e të dhënave tatimore, ndërsa administrata tatimore do të ketë mundësi të shkëmbejë automatikisht këto të dhëna me administratat tatimore të vendeve të tjera.
Ky është thelbi i ndryshimeve të propozuara në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të cilat synojnë të rrisin transparencën mbi aktivitetin e grupeve të mëdha ndërkombëtare.
Sipas projektligjit, grupet shumëkombëshe duhet të raportojnë informacion për aktivitetin e tyre në vende të ndryshme, përfshirë të dhënat që lidhen me entitetet e grupit dhe juridiksionet ku ato ushtrojnë aktivitet.
Nëse kompania mëmë e grupit ndodhet jashtë Shqipërisë dhe nuk plotëson kushtet për shkëmbimin e informacionit me administratën shqiptare, detyrimi për raportim mund të bjerë mbi kompaninë pjesë të grupit që është rezidente në Shqipëri.
Projektligji parashikon edhe rastet kur një kompani tjetër e grupit, e përcaktuar si “entitet mëmë zëvendësues”, mund të kryejë raportimin në emër të grupit.
Një element i rëndësishëm është shkëmbimi automatik i informacionit. Pasi administrata tatimore shqiptare merr raportin, ajo do t’ua përcjellë automatikisht administratave tatimore të vendeve ku kompanitë e grupit janë rezidente ose ku ushtrojnë aktivitet përmes një selie të përhershme.
Ky informacion duhet të shkëmbehet brenda 15 muajve nga përfundimi i vitit fiskal të grupit.
Në këtë mënyrë, ndryshimet synojnë të krijojnë një sistem më të qartë të raportimit ndërkufitar dhe t’u japin administratave tatimore më shumë informacion për të ndjekur aktivitetin ekonomik dhe detyrimet tatimore të grupeve shumëkombëshe.
/e.xh/a.f/