E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, 48,6 miliardë lekë

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës llogariten 48,6 miliardë lekë gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti.

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) eksportet drejt Kosovës shënuan ulje me rreth 350 milionë lekë gjatë 11-mujorit të këtij viti, ndërsa importet shënuan rritje.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-nëntor ishin 34,2 miliardë lekë, nga 37,7 miliardë lekë që ishin në 11-mujorin e 2023-shit.

Ndërkohë, importet për 11-mujorin llogaritën 14,4 miliardë lekë, nga 10,6 miliardë lekë që ishin në 11-mujorin e 2023-shit.

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.

Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës rreth 11,7 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 8,5 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.

Janë mbi 1000 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege, jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›