Shkoder, 15.9 mln euro fond për rrjetin e kanalizimeve
SHKODER- Pas afro 40 vitesh do të ndërhyhet në sistemin e ujërave të zeza dhe të bardha të qytetit të Shkodrës. Amortizimi i rrjetit ekzistues, i ndërtuar që më 1970 dhe zgjerimi i qytetit për 4 dekada, ka bërë që sistemi i ujërave të zeza dhe të bardha të kthehet në shqetësim më vete. Dhënia e një fondi prej 15.9 milionë eurosh do të zgjidhë këtë problem si dhe mbrojtjen ambientale të Liqenit të Shkodrës. Dje, në ambientet e hotel “Europa” u prezantua forma përfundimtare e projektit, që ka të bëjë me rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza si dhe ndërtimin e disa komponentëve të tjera, siç janë impiantet e përpunimit të ujërave të përdorura, ndërtimin e kolektorëve, rehabilitimin e stacionit ekzistues të këtyre pompave etj. Përfaqësues të firmës zvicerane, ‘STUCKY’ si dhe të 4 firmave nënkontraktore (2 gjermane dhe 2 shqiptare) pasqyruan gjendjen reale të rrjetit të ujërave të zeza. Pas studimit të bërë nga firmat përkatëse, ka rezultuar se vetëm 70 % e qytetit është e lidhur me rrjetin ekzistues të kanalizimeve, kurse pjesa tjetër përdor gropa septike.
(s.g/GSH/BalkanWeb)