E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, 39 apartamente për të pastrehët

SHKODËR - Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka votuar për ndarjen e 39 apartamenteve të banimit për të pastrehët, të ndërtuara prej mbi një viti nga Enti Kombëtar i Banesave. Këshilltarët kanë votuar për 39 emra në listën e 97 të tillë e cila ishte hartuar nga komisioni përkatës i këtij këshilli që në bazë të një formule pikëzimi kishte shqyrtuar dhe verifikuar konkretisht situatën ku jetojnë të pastrehët në qytetin e Shkodrës.

Pasi lista ishte paraqitur Këshillit Bashkiak dy muaj më parë, kanë qenë vetë këshilltarët që kanë vendosur që ajo të votohej pas fushatës zgjedhore në mënyrë që të mos ndikonte politikisht. Në mbledhjen e së martës, anëtarët e Këshilit Bashkiak kanë votuar për 39 emra nga lista me 97 të tillë. Në listën e paraqitur për votim janë vërejtur ndryshime, deri në largim emrash që kanë qenë të përfshirë në listën e parë. Nga 39 apartamente banimi, 35 janë ndarë që me votimin e parë, ndërsa për katër është dashur rivotimi, pasi ka patur më shumë se aq me numër të njëjtë votash. Këshilltarët kanë vendosur që pjesa e listës që nuk përfiton banesë këtë herë të ketë përparësi në ndarjen e kredisë për të pastrehët me interes zero dhe të butë e cila pritet të akordohet nga shteti shqiptar në muajt e ardhshëm. Qyteti i Shkodrës ka të rregjistruar 1400 të pastrehë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›