E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, 53 krime të ndryshme për një muaj

Policia lokale ka arritur që të zbulojë 46 prej tyre, ose 86.7%. Bala: 25 krime kundër personit u zbuluan të gjitha
SHKODËR- Të paktën 53 vepra penale janë regjistruar gjatë këtij muaji në qarkun e Shkodrës, 46 prej të cilave ose 86.7 për qind e tyre, janë zbuluar nga uniformat blu. Drejtori i policisë së qarkut të Shkodrës, Nikolin Bala, tha dje së falë punës së mirë organizative të efektivave të policisë së qarkut të Shkodrës, gjatë muajit janar u zbardhën edhe nëntë vepra penale të vjetra, gjashtë prej të cilave vrasje dhe tentative vrasjeje. Duke folur për veprat penale të ndodhura gjatë këtij muaji, kryekomisar Bala bëri të ditur se "gjatë kësaj periudhe janë proceduar penalisht 51 autorë, 25 prej të cilëve janë arrestuar në flagrancë, 20 hetohen në gjendje të lirë dhe 6 të tjerë janë shpallur në kërkim". Sipas tij, 25 prej krimeve të evidentuara në janar kanë qenë kundër personit dhe janë zbuluar në masën 100% nga policia, ndërsa në krimet kundër pasurisë dhe pronës janë evidentuar 10 raste, pesë prej të cilëve janë zbuluar. Në masën 100% rezulton të jetë zbulueshmëria dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje (4 të evidentuara), për trafiqet e paligjshme (2 raste) dhe kontrabandës (1 rast). Efektivat e seksionit të luftës kundër trafiqeve kanë intervistuar në janar 43 shtetas të deportuar nga Mali i Zi si dhe kanë kapur një person të shpallur në kërkim në SHBA për trafik mjetesh motorike. Për sa i takon krimit financiar, gjatë kësaj periudhe u regjistruan 12 raste, prej të cilave u zbuluan nëntë. Efektivat e këtij seksioni kanë proceduar penalisht 9 autorë, 2 prej të cilëve tëarrestuar në flagrancë dhe 7 ndiqen në gjendje të lirë. Ndër veprat penale të seksionit të luftës kundër krimit financiar, veçohet ushtrimi i pa licencuar i veprimtarisë bankare (kambistët e paligjshëm). Gjatë aksioneve në këtë drejtim janë sekuestruar shuma të ndryshme në lekë dhe valutë. Raste të tjera të proceduara nga ky seksion kanë qenë edhe ato për falsifikim të dokumenteve zyrtare, vënie në qarkullim të monedhave të falsifikuara, etj. Kryekomisar Bala u ndal dhe në numrin e aksidenteve të regjistruara përgjatë këtij muaji. "Deri tani janë evidentuar 13 aksidente rrugore në qarkun e Shkodrës, dy prej tëcilave me pasojë vdekjen e 3 personave. Në këto aksidente u plagosën rëndë 3 persona dhe 15 të tjerë u lënduan lehtë",- tha Bala. Në prononcimin e tij kreu i policisë së Shkodrës theksoi rënien e ndjeshme të rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë muajit janar, vijoi ai, policia e Shkodrës ka konstatuar vetëm një rast, kur në banesën e shtetasit Behri Delaj (Malësi e Madhe) u sekuestrua 89.8 kg lëndë narkotike kanabis sativa, duke u shpallur në kërkim autori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›