MASH: Korrespondenca me nota fiktive, procedura të reja vlerësimi
Sipas MASH-it shkollat e mesme me korrespondencë kanë dhënë provime korruptive. Tashmë rregulla të reja edhe për Maturën Shtetërore
Nxënësit e shkollave të mesme me korrespondencë kanë marrë nota fiktive ndaj, tashmë, do të reformohen provimet dhe procedurat do të jenë shumë më rigoroze.
Ky është udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit, sipas të cilës, nuk do të ketë më provime me gojë në këto shkolla, por ato do të jenë vetëm me shkrim dhe të hartuar nga Drejtoritë Arsimore. Ndërkohë MASH shpjegon edhe procedurat që do të ndiqen për provimet e Maturës Shtetërore për këtë kategori shkollash.
Provimet
Ndonëse dëftesat e nxënësve të korrespondencës dhe e atyre që ndjekin shkollën rregullisht njihen ligjërisht, njësoj notat në shkollat me korrespondencë shpesh kanë qenë fiktive. Për këtë arsye MASH ka vendosur që duke filluar nga janari i këtij viti në shkollat me korrespodence, (shkollat e natës) ku nuk zhvillohet mësim i rregullt jave, por ka provime çdo semestër, nxënësit do t'u nënshtrohen provimeve rigoroze. "Deri tani provimet semestrale jepeshin gojarisht para një komisioni prej tre mësuesish të shkollës dhe kalueshmëria ishte 90 deri 100%. Këto provime kanë qenë përgjithësisht abuzive dhe korruptive",- pohojnë burime zyrtare të ministrisë, duke shtuar se në Maturën Shtetërore nxënësit e këtyre shkollave rezultuan me kalueshmëri shumë herë më të ulët se gjimnazet e ditës. Sipas një udhëzimi, provimet semestrale bëhen vetëm me shkrim dhe do të administrohen jo nga shkolla por nga Drejtoritë Arsimore Rajonale, përmes testeve të hartuara, sekretuara dhe të vlerësuara prej tyre. "Kështu realizohet që nota të ketë një vlerë standarde në të gjithë vendin dhe besimi i publikut te sistemi arsimor të rritet",- pohon MASH.
Matura
Pas provimeve të Maturës Shtetërore dhe atyre të Lirimit, MASH reformon edhe procedurat e provimeve të shkollave të mesme me korrespodencë. "Këto provime do
të zhvillohen me të njëjtat praktika si të Maturës Shtetërore, që do të thotë se testimi, vlerësimi dhe administrimi i testeve nuk do të organizohet më nga drejtoria e shkollës, por nga Drejtoritë Arsimore Rajonale",- bëhet e ditur nga MASH duke shtuar se synimi është që të rritet besueshmëria, transparenca e objektiviteti në provimet e shkollës së mesme me kohë të shkurtuar, ose korrespodencë dhe si pasojë edhe cilësia në këtë formë shkollimi. Ndërkohë behët e ditur se, pas aplikimit të suksesshëm të këtyre procedurave në provimet e Maturës Shtetërore, Provimeve pilot të Lirimit, ministri i Arsimit dhe Shkencës ka deklaruar se në vitet në vijim, disa prej praktikave të maturës do të mund të aplikoheshin në të gjitha mënyrat e testimit të arsimit parauniversitar. "Duke filluar nga ky vit, të gjithë nxënësit të cilët mësojnë me korrespodencë do t'i nënshtrohen këtij testimi të jashtëm dhe objektiv për të pasur një vlerësim real të arritjeve të tyre mësimore.
Testet e sekretuara do të mbikëqyren nga administratorë jo të lëndës përkatëse dhe korrigjimi do të kryhet nga komisione të ngritura nga DAR",- shpjegojnë burime zyrtare të MASH-it.