E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Berisha: Banorët të mos nguten për në banesa

Kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim me Shtabin Qendror të Emergjencës Civile, të vendosur në Prefekturën e qytetit, nga ku ka deklaruar se ka pasur një përkeqësim të situatës pas shtimit të reshjeve.

 “Ka pasur një përkeqësim të shpejtë të situatës së ujërave, pasi fillimisht, liqeni pësoi sërish një rritje të shpejtë për shkak të prurjeve të mëdha nga Moraça dhe burime të tjera të Malit të Zi, por këtyre prurjeve iu bashkëngjit një shi i pandërprerë këtu, pothuajse 24 orë dhe, natyrisht, shtimi i prurjeve në kaskadë. Ajo çka ishte mjaft problematike ishin Kiri dhe Gjadri që së bashku sillnin një po aq sa kaskada e Drinit. Këta dy lumenj së bashku në 24 orë patën prurje deri në 900m3/s. Kjo bëri që sipërfaqja e përmbytur të shtohet dhe nga 6 mijë hektarë që kishte zbritur, të arrijnë në 7300 hektarë. Sigurisht, u rrit dhe numri i shtëpive të rrethuara nga uji dhe shtëpive të përmbytura”, ka deklaruar Berisha.

Kreu i qeverisë ka kërkuar që të nisë vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. “Duhet që të fillojë vlerësimi i dëmeve. Vlerësimi të fillojë me qytetin dhe qeveria sapo ju, zoti kryetar i Bashkisë, Prefekti, së bashku me ekipet, siç është dhe rregulli, do të sillni vlerësimet qeveria do të marrë vendimet përkatëse në përputhje me ligjin e digave. Ku vend ka një ligj që është tërësisht  në fuqi në momentin e fatkeqësive natyrore të krijuara nga ujëra, siç është rasti. Zonat e tjera duhet të lirohen nga uji që të fillojë vlerësimi dhe operacioni i rikuperimit, rehabilitimit, gjë që është edhe aty plotësisht e mundur dhe ne i qëndrojmë plotësisht detyrimit ligjor ndaj qytetarëve të zonave të përmbytura”, shtoi ai më tej.

Kryeministri ka kërkuar nga banorët që të mos nguten për të shkuar në banesat e tyre, teksa situata nuk është përmirësuar ende. “Unë u bëj thirrje banorëve të mos nguten për të shkuar në shtëpitë e tyre, por le të rrinë në konvikte, në hotele, aty ku janë edhe për disa kohë sa të konsolidohet moti. Luhatjet e motit janë sërish të mëdha. Ndaj më mirë të kemi durim që të mos rrezikojmë asgjë. Prefekti, me shumë të drejtë, më informoi se ka vënë alarmin me kryetarët e komunave në mënyrë që të tërhiqen banorët. Kjo ishte e drejtë, sepse kur lumi Kir dhe Gjadër arrijnë në 900m3/s, imagjinoni se mund të bëhet më kaskadën apo lumenjtë e tjerë që derdhen në liqen nga ana e Malit të Zi”, vijoi. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-22 08:20
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›