Shkodër/ Kapet 48-vjeçari i dënuar për trafik droge, pjesë e një grupi kriminal

Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim është vënë në pranga nga Policia në Shkodër, pasi ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burg për veprimtari në fushën e narkotikëve.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Wanted 2”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Si rezultat i operacionit, u kap dhe u ndalua shtetasi me iniciale E. H., 48 vjeç, banues në Shkodër, i cili rezultonte i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim si pjesë e një grupi kriminal.
Vendimi ndaj tij ishte dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë kësaj gjykate për veprime të mëtejshme.