E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër/ Kokainë dhe lojëra fati në lokal, arrestohet pronari 26-vjeçar (EMRI)

Një operacion i koduar “Game Over”, i zhvilluar nga DVP Shkodër, ka çuar në zbulimin e një lokali ku zhvilloheshin aktivitete të paligjshme në fshatin Bajzë.

Gjatë kontrollit të ushtruar mbrëmjen e djeshme, shërbimet e policisë konstatuan se në ambientet e lokalit shitej lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe organizoheshin lojëra fati. Në vendngjarje u sekuestruan doza kokaine, 4 telefona celularë, 1 makinetë për lojëra fati, pije alkoolike të dyshuara si kontrabandë, si dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga aktivitetet e paligjshme.

Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se subjekti nuk ishte i regjistruar në organet kompetente.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, Gabriel Popaj, 26 vjeç, banues në fshatin Vukpalaj.

Operacioni u realizua nga specialistët për hetimin e krimeve ekonomiko-financiare dhe narkotikëve, me mbështetjen e forcës speciale “Shqiponja”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›