E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkodër, Rama: Më 11 maj ne nuk jemi në garë për 71 mandate, ato i kemi, por nuk mjaftojnë që të mbyllim në 2027 negociatat me BE-në

Kryeministri Edi Rama, u ka bërë thirrje shkodranëve që të mos shkëputen nga treni i fitores së PS-së në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Këtë thirrje Rama e bëri gjatë turit të takimeve përmbyllëse të fushatës elektorale që ai po zhvillon këtë të diel në Qarkun e Shkodrës.  

Kreu I qeverisë, në të njëjtën edhe kryetar I PS-së, u ndal në disa element që sipas tij kanë ndikuar në gjithë këto vite në Shkodër, siç është ajo e ‘luftës ndaj komunizmit’, tezë e cila, sipas tij, ka kohë që ka perënduar.  

Rama theksoi më tej se PS nuk është garë thjeshtë për 71 mandate, pasi ato socialistët I kanë, por nuk mjaftojnë për të pasur siguri se Shqipëria do të mbyllë në 2027 negociatat me BE-në

“Shpresoj shumë që Shkodra ta ketë kapërcyer atë problemin psikologjik që kishte ndër vite. Thosha çfarë njerëzish janë këta? Si ka mundësi që jetojnë mes plehrave në këtë qytet, që i ka më shumë se gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë, ndërkohë që është e bekuar nga zoti, po që jetojnë si në ’90-ën?”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Shkodra i besonte “bufit” që erdhi nga komunizmi dhe përdorte gjithë metodat e komunizmit.

“Komunizmi, lufta me komunizmin, rezistenca ndaj komunizmit. Komunizmi kishte vdekur me kohë. Shkodra dikur u shërbente vetëm dy njerëzve: një të vdekuri e një të gjalli që sot ka vdekur, por i duket sikur është gjallë. I pari, Enver Hoxha në botën tjetër ka jetuar me kënaqësinë që shkodranët i qëndruan deri në fund mallkimit të tij dhe u vetë izoluan duke luftuar me një komunizëm që nuk ekzistonte. I mbajti peng dhe mbi 30 vite. Ndërkohë që nga ana tjetër i besonin bufit që erdhi nga komunizmi dhe përdori të gjitha metodat e komunizmit”, theksoi Rama.

Kreu i PS komentoi edhe primaret në PD, si dhe listën e PD-së në Shkodër që kryesohet nga Luçiano Boçi.

“Mua nuk më intereson fare se kush është në krahun tjetër. Por kaq keq ka rënë pazari në Shkodër? Kaq poshtë ka shkuar PD? Kaq shumë ju nënvlerëson bufi sa ju ka sjellë “Luçiano Fake Pavarotin” në krye të listës? Po Shkodra e ka dëgjuar fshehtas atë të vërtetin? Tani ai sjell “Luçiano Fake” të drejtojë shtëpinë tuaj. Ju mendon bufi ju demokratët e Shkodrës kaq tuaf? Ju di kaq çyryk sa nuk keni një njeri t’ju drejtojë dhe ju që sjell ‘Pavarotin’ që humbi në Elbasan dhe thoshte ‘na vodhi elektronika votat?”, pyeti Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se shpreson shumë që demokratët e Shkodrës, minimumi ditën e zgjedhjeve, të rrinë në shtëpi e të dëgjojnë Pavarotin e vërtetë, dhe nuk do të shkojnë fare të votojnë.

“Ne pasaportën evropiane do t’ja japim edhe fëmijëve të tyre, siç po u kthejmë Shkodrën që ua mori bufi dhe mbeti e fundit për turp. Një herë që na e besuan ne shihet qartë se është një qytet tjetër në energji, turizëm dhe besim. Shpresoj shumë që këtë herë, më e pakta të dëgjojnë Luçiano Pavarotin e vërtetë dhe maksimalisht të vijnë dhe të ‘mbyllin hundën’ dhe të votojnë numrin 5”, shtoi Rama. 

Rama: Më 11 maj ne nuk jemi në garë për 71 mandate

Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij në Shkodër, u se PS në 11 maj nuk është në garë për 71 mandate, sepse, sipas tij, PS i ka ato, por ato nuk mjaftojnë për të pasur siguri për mbylljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Në 11 maj ne nuk jemi në garë për 71 mandate. Ne 71 mandate i kemi që tani. 71 mandate mjaftojnë për të qeverisur për karriget e parlamentit, për deputetët, por nuk mjaftojnë për të pasur siguri që ne do t’i mbyllim në 2027 negociatat me BE-në. Atje negociohen çerek milionë faqe, mbi 250 mijë fletë që janë kritere, rregulla, masa, ligje etj. Duhet të biem dakord me ta për çdo gjë dhe pasi biem dakord atje duhet të vijmë këtu dhe t’i bëjmë, të shkojmë në parlament dhe të bëjmë ligjet”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh I bindur se më në 11 maj do të jetë fitorja më e madhe historike e PS-së.

“Këneta e ka nisur që tani këngën. Mbajeni mend në 11 maj në darkë do të thotë ‘fituam’, në 12 maj në mëngjes do të thotë ‘qëndroni fort te kutitë’, në 12 maj në darkë nuk do të flasë. Më 13 maj në mëngjes do të thonë: ‘na i vodhën, është vjedhja më e madhe e historisë’, sepse kjo do të jetë fitorja më e madhe historike e PS-së”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›