Shkodër, ekipe kërkim-shpëtimi nga 7 vende të rajonit testojnë kapacitetet për përballimin e përmbytjeve

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile (UCPM) nis sot në Shkodër një simulim gjithëpërfshirës për përballimin e përmbytjeve, me pjesëmarrjen e shtatë vendeve të tjera nga rajoni.
Përgjatë 6 ditëve, deri në 12 prill, në zonën e Shkodrës zhvillohet “Flood NorthALB”, një simulim gjithëpërfshirës për përballimin e përmbytjeve, me pjesëmarrjen e ekipeve të kërkim-shpëtimit nga Bullgaria, Qipro, Greqia, Italia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Për gjashtë ditë me radhë, strukturat vendase dhe ndërkombëtare do të punojnë krah për krah, duke testuar në terren kapacitetet reale për reagim të shpejtë dhe efikas ndaj emergjencave natyrore.
Ky ushtrim, i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, është më shumë se një stërvitje, është një dëshmi konkrete e bashkëpunimit, solidaritetit dhe gatishmërisë për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Qëllimi i këtij ushtrimi është testimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe kapaciteteve reale në emergjenca. Këtu përfshihen ekipe të kërkim–shpëtimit dhe struktura të mbrojtjes civile.
/m.m/j.p/