Shkodër, krim brenda familjes, xhaxhai vret nipit për pronë
Çështja e pronësisë shënon viktimën e radhës. Një krim i rëndë brenda familjes është regjistruar mbrëmjen e sotme rreth orës 20:40 në fshatin Vukatanë, në komunën Guri i Zi në Shkodër, ku shtetasi Çesk Murri ka vrarë me armë zjarri nipin e tij, Gjin Murri në banesën e këtij të fundit.
Burime nga policia e Shkodrës bëjnë me dije se vrasja dyshohet të ketë ardhur për shkak të një konflikti pronësie mes autorit të krimit dhe viktimës. Po sipas policisë dyshohet se nga të shtënat me armë kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, identitetet e të cilëve nuk dihen ende.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë së Shkodrës, të cilët po punojnë për kapjen e autorit.