E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha lavdëron ekonominë dhe sulmon Ramën për auditin ndërkombëtar: Kanë epsh për pushtetin

berisha-qeveriKryeministri, mesazh për administratën: Mos jepni dorëheqje, vazhdoni punën

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, e nisi mbledhjen e përjavshme të qeverisë duke lavdëruar situatën ekonomike në Shqipëri. Ai iu referua Komisionit Europian duke thënë se rritja ekonomike në vend është e shëndetshme.

Eurozona ka një papunësia me 12.2 përqind, por Shqipëria është i vetmi vend jashtë eurozonës me një papunësi 12.8 përqind.

Papunësia e të rinjve është 22.8 përqind në Shqipëri dhe 22.2 në eurozonë. Është 51 përqind në Serbi, 53 në Bosnje, 47 në Kroaci, 48 në Maqedoni dhe kështu me radhë, tha Berisha.

Ekonomia shqiptare mbahet në stabilitetin më të sigurt dhe të qëndrueshëm në rajon. Ndaj dua të përgëzoj të gjithë administratën për funksionimin e saj.

Zgjedhjet kaluan dhe ato nuk patën ndikim të ndjeshëm negativ në performancën ekonomike. Ftoj përsëri administratën me përkushtimin më të madh që të vazhdojë detyrën pasi interesi ekonomik është ai që duhet të frymëzojë punën e saj.

Këto të dhëna tregojnë për zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare. Ka një rritje dyshifrore prodhimi industrial, ka një rënie prej 0.4 përqind të ndërtimit, por në tërësi rritja ekonomike është progresive, e krahasuar me vitin 2012 është një rritje të shëndetshme, vijoi kryeministri.

Berisha sulmoi mazhorancën e re, duke thënë se ka epsh për pushtet.

Mazhoranca e re po shfaq disa shenja revanshi të papranueshme. Shenja, që janë dëshmi të një epshi të papërmbajtur për pushtet, sepse do ti diktojë qeverisë në detyrë rregulla që janë të shkruara në Kushtetutën e vendit, tha Berisha.

Kryeministri rezervoi kritika edhe për deklaratën e Edi Ramës se duhet të ketë një audit ndërkombëtar për financat e vendit.

Ideja e një auditi ndërkombëtar vjen nga mosnjohja. Auditi ndërkombëtar është online. Është i përditshëm, i përjavshëm, i përmuajshëm. Shqipëria është një nga vendet e pakëta që boton, publikon në faqen e thesarit çdo qindarkë që shpenzohet në territorin e republikës së Shqipërisë nga buxheti i shtetit, të nesërmen e shpenzimit të tij. Këtë mund ta kontrollojë çdo qytetar në mbarë planetin. Por auditin më të shkëlqyer të financave shqiptare ia ka bërë dhe e bën City në Londër, ku eurobondi i Shqipërisë nga 7.6 përqind interesi ka zbritur në 5.6 përqind. Pra, një dëshmi e besimit shumë të lartë, shumë më të lartë se në vitin 2008 për financat stabël të vendit.

Është Moodys që e ka rankuar Shqipërinë në të njëjtin pozicion. Shqipëria ka, përveç të tjerash, Kontrollin e Lartë të Shtetit, një institucion i pavarur që kontrollon buxhetin dhe përdorimin e tij në të gjithë territorin e vendit.

Unë i ftoj të marrin jo një, por pesë kompani të auditit ndërkombëtar, që siç u thashë edhe njëherë është konstant, pasi është FMN, BB, Komisioni Europian që ndjekin me vëmendje të madhe zhvillimin ekonomik të vendit, tha Berisha.

Kryeministri i bëri sërish thirrje administratës që të vazhdojë punën me përkushtim.

Kam thirrje dhe e përsëris që askush të mos japë dorëheqjen. Përveç një grupi këshilltarësh politikë, të tjerët janë në funksion të zbatimit të qeverisjes, në funksion të ushtrimit të qeverisjes së vendit.

Në administratë gjetëm vetëm 1 përqind të shkolluar jashtë vendit, ndërkohë që ishin qindra e mijëra të shkolluar në Perëndim. Por për shkak të ligjit, ata nuk mund të hynin në administratë. Atëherë ne hapëm dyert për ta dhe sot janë 21 përqind e punonjësve, që janë të shkolluar në shkollat më të mira perëndimore. Kjo është në interesin e vendit. Kjo është e domosdoshme të bëhet në çdo fushë. Uroj që edhe qeveria që vjen të konsiderojë shumë të rëndësishme brain gain-in, tha Berisha./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›