E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, lirohet pas dy ditësh pedagogu që u arrestua për ryshfet

Universiteti i Shkodrës

 Pedagogu i Universitetit të Shkodrës, i cili është arrestuar për korrupsion është liruar mesditën e sotme nga burgu.

Pedagogu i Fakultetit Juridik në Shkodër, Fran Qafa, u arrestua dy ditë nën akuzën e korrupsionit.

Burime nga policia e policisë Shkodër, bëjnë me dije se Qafa do të hetohet në gjendje të lirë, me urdhër të organit kryesor të akuzës.

Fran Qafa, pedagog në Universitetin Luigj Gurakuqi në qytetin e Shkodrës është arrestuar në flagrancë dy ditë më parë duke marrë para nga një student, në këmbim të favorizimit në provim.

Arrestimi i tij erdhi një ditë pas publikimit të rezultateve të pyetësorit të realizuar nga Këshilli Studentor i Universitetit Luigj Gurakuqi ku 3 në 4 studentë deklaruan se kanë blerë me para provimet, qoftë dhe një herë të vetme.

USH: Sondazhi “3 në 4 studentë blejnë provimet”, është rreng

Universiteti i Shkodrës Luigj Gurakuqi, duke u distancuar ndaj çdo veprimi korruptiv të çdo pedagogu të këtij universiteti, në një njoftim për shtyp sqaron se sondazhi që tregon nivelin e korrupsionit në këtë universitet dhe që ka qarkulluar ditët e fundit në media, nuk ekziston.

Në media ditët e fundit kemi parë referenca mbi një të ashtuquajtur sondazh (pyetësor), të organizuar nga Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës Luigj Gurakuqi, ku flitet për ¾ të studentëve blejnë provimet. Një gjë e tillë nuk ekziston, thuhet në reagim duke shtuar se në të vërtetë nuk ekziston asnjë sondazh i zhvilluar nga ky organ studentor.

Sipas njoftimit të USH-së, personi që flet në emër të këtij organi vetëm virualisht (Redan Bushati), i cili vetëquhet kryetar i KSUSH , por në të vërtetë ky person aktualisht nuk ushtron asnjë funksion faktit, pasi nuk ka një mandat legjitim, dhe për më tepër për më shumë se një vit nuk ndjek studimet në këtë universitet, pasi ndodhet jashtë Shqipërisë.

USH nënvizon se ai po përdor në shkelje të ligjit vulën e Këshillit Studentor dhe merr përsipër në mënyrë të padrejtë të përfaqësojë studentët e Universitetit të Shkodrës Luigj Gurakuqi. Në fund USH i kërkon prokurorisë që të zbardhi këtë mashtrim. /A.D/

*    *    *

Anketa: Universiteti i Shkodrës, më i korruptuari. Arrestohet pedagogu i Juridikut

Një pedagog i Universitetit të Shkodrës është arrestuar sot me akuzën e marrjes së ryshfetit në këmbim të favorizimit në provim.

Fran Qafa, pedagog në Fakultetin Juridik të universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër, është arrestuar në flagrancë duke marrë para nga një student, në këmbim të notës kaluese në provim.

Policia e Shkodrës bën të ditur se pedagogu ishte nën hetim prej disa kohësh, pas denoncimeve të shumta të bëra nga studentët e tij. 

Pedagogu Fran Qafa akuzohet për shpërdorim detyre, dhe korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike.

Universiteti i Shkodrës i korruptuar, 3 në 4 studentë i blejnë provimet  

Universiteti i Shkodrës ka realizuar një anketë, në të cilën shtrohen një tërësi pyetjesh lidhur me shqetësimet dhe ankesat që kanë studentët e këtij universiteti. Sipas përfundimeve të pyetësorit, korrupsioni në Universitetin Luigj Gurakuqi është në nivel mjaft të lartë, ku 3 në 4 studentë paguajnë pedagogët për të marrë provimet.  

74% e studentëve i janë përgjigjur me po, pyetjes se, a keni dhënë qoftë dhe vetëm njëherë para (lekë) për të marrë një lëndë, pra thuajse 3 në 4 studentë kanë dhënë para për të blerë provimet. Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88%, ndërsa më të ulët e ka Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 58%.

Përsa i përket përmirësimit të kushteve në sallat dhe auditorët e Universitetit Luigj Gurakuqi, 67% e studentëve përgjigjen se kushtet nuk janë përmirësuar. Nga të gjashtë fakultetet e këtij universiteti, Fakulteti Ekonomik paraqitet më problematiku, ku 90% e studentëve të këtij fakulteti shprehen se kushtet nuk janë përmirësuar. Ky fakultet prej vitesh vuan mungesën e theksuar të mjediseve për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. Nga ana tjetër fakulteti që paraqitet më mirë është ai i Shkencave të Edukimit, ku 52% e studentëve, të cilit shprehen se kushtet janë përmirësuar. Sivjet në këtë fakultet janë realizuar disa investime në infrastrukturë.

40,3% e studentëve të Universitetit të Shkodrës shprehen se, media ka luajtur rol në uljen e korrupsionit. Në Fakultetin e Drejtësisë 82% e studentëve përgjigjen se media nuk ka luajtur rol në uljen e tij, ndërsa 54% e studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja përgjigjen se media ka luajtur rol të rëndësishëm në uljen e korrupsionit.

54,3% e studentëve përgjigjen se sekretaritë mësimore respektojnë oraret e tyre të punës. Në dy fakultete situata paraqitet më tepër problematike, në Fakultetin e Drejtësisë, ku 66% e studentëve shprehen se orari i punës nuk respektohet nga sekretaria mësimore dhe në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, ku 58% e studentëve të saj mendojnë po të njëjtën gjë. Situata paraqitet më e mirë në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, ku 68% e studentëve përgjigjen se respektohen oraret e punës nga sekretaria mësimore dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 64%.

Në pyetësor morën pjesë 300 studentë, 50 për secilin fakultet të USH-së. Pyetësori u realizua nga Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës. /Anila Dushi/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›