Shkodër, prerja e pyjeve, bllokohen 7 kamionë
Policia e Shkodrës ka ndërmarrë një operacion në zonat e thella malore për të mbrojtur pyjet nga prerjet e paligjshme. Konkretisht, operacioni i policisë është përqendruar në zonën e Cukalit, në Malësinë e Shkodrës. Sipas burimeve nga policia, aksioni ka nisur rreth orës 01:00 pas mesnate dhe ka zgjatur deri rreth orës 08:00 të mëngjesit, ku kanë marrë pjesë rreth 30 forca policie. Policia ka arritur të bllokojë dhe sekuestrojë shtatë makina tip Ifa, me rreth 60 metra kub lëndë drusore, si dhe janë shoqëruar për në polici 10 persona, të cilët dyshohen të jenë autorë të prerjes së paligjshme dhe transportit të tyre. Makinat e ngarkuara me lëndë drusore janë ndaluar nga policia, ndërsa udhëtonin drejt qytetit të Shkodrës. Zona e Cukalit është një nga zonat më të pyllëzuara të Qarkut të Shkodrës, ndaj edhe aksioni i policisë është përqendruar aty.