Shkodra Elektronike ngjitet sonte në skenën e Eurovizion. Mënyra si mund të votohet për “Zjerm”

Na ndajnë vetëm pak orë nga nata e parë e Eurovision Song Contest 2025, që nis mbrëmjen e sotme, më 13 maj, në Bazel të Zvicrës.
Në këtë natë gjysmëfinale, Shqipëria përfaqësohet nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, të cilët do të ngjiten të dymbëdhjetët në skenë.
Të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë për këngën “Zjerm” duke dërguar një mesazh në 54345 me kodin e këngës. Kujdes! Nga brenda territorit të Shqipërisë nuk mund të votohet për këngën shqiptare.
Si mund të votoni për Shqipërinë?
Votimi për Eurovision 2025 mund të bëhet përmes telefonit, SMS ose duke votuar online me pagesë në faqen zyrtare esc.vote.
Kur mund të votoni?
Në finalen e madhe, votimi do të hapet pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të qëndrojë i hapur afërsisht 40 minuta pas prezantimit të këngës së fundit.
Gjatë gjysmëfinaleve, votimi do të hapet pasi të jetë interpretuar kënga e fundit dhe do të qëndrojë i hapur për rreth 18 minuta.
Vendet jopjesëmarrëse
Shikuesit në pjesën tjetër të botës do të kenë gati 24 orë kohë për të votuar për këngët e tyre të preferuara, të ndara në dy dritare votimi.
Votimi online do të hapet për pjesën tjetër të botës afërsisht në mesnatë në ditën e çdo gjysmëfinale dhe finale të madhe, dhe fillimisht do të qëndrojë i hapur derisa të fillojnë shfaqjet live.
Në finalen e madhe, votimi për pjesën tjetër të botës hapet përsëri pak para se të interpretohet kënga e parë dhe do të qëndrojë e hapur deri afërsisht 40 minuta pas prezantimit të këngës së fundit. Në gjysmëfinale, votimi do të hapet përsëri pasi të jetë interpretuar kënga e fundit dhe do të qëndrojë e hapur për afërsisht 18 minuta.
Metodat e votimit sipas vendeve
- Shqipëria: Voto me SMS duke dërguar një mesazh në 54345 me kodin e këngës (01 deri në 15 në gjysmëfinale, 01 deri në 26 në finale). Çmimi për SMS: 120 ALL.
- Italia, Lituania, Malta, Luksemburgu, Ukraina, Suedia, Zvicra, Australia etj.: Voto vetëm online në esc.vote.
- Mbretëria e Bashkuar, Austria, Kroacia, Spanja, Serbia, Franca, Danimarka etj.: Voto përmes telefonit, SMS-së ose online në esc.vote.
Mund të votoni deri në 20 herë për një këngë të vetme. Votimi është i kufizuar në një transaksion për çdo periudhë votimi, edhe nëse nuk janë përdorur të gjitha 20 votat e mundshme.
Gjysmëfinalja e parë e Eurovizion 2025 do të mbahet në 13 maj, gjysmëfinalja e dytë në 15 maj, si dhe finalja e madhe në 17 maj. Të tria netët e festivalit do të transmetohen ekskluzivisht në RTSH 1, Radio Tirana 1 si dhe RTSH Muzikë.
/rtsh.al/