E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkojnë për të vjedhur një shtëpi, kryefamiljari vret një nga hajdutët

Gazeta Shqip

vrasja e kryer nga kapllanaj ne mallakasterMallakastër

I arrestuari Ylli Kapllanaj: Kisha frikë se gjatë vjedhjes do të më dhunonin familjen

Policia tha se viktima që u gjet në oborrin e familjes Kapllanaj, është Ildjon Alushaj nga Patosi

Edmond Hoxhaj

Ildjon Alushaj nga Patosi dyshohet se kishte udhëtuar bashkë me tre bashkëpunëtorë deri në fshatin Ngraçie të Mallakastrës, ku pak muaj më parë pati rrëshqitje dheu dhe shumë banesa u dëmtuan, me qëllim për ti vjedhur ato, por është përballur me rezistencën e një prej kryefamiljarëve dhe ka mbetur i vrarë në oborrin e njërës prej këtyre banesave. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme dhe menjëherë pas krimit, autori i saj, Ylli Kapllanaj, është dorëzuar në polici, duke dhënë versionin e tij. Por, policia tha se po heton për zbardhjen e plotë të krimit.

Përplasja

Ngjarja e rëndë që i ka kushtuar jetën 21-vjeçarit Ildjon Alushaj nga Patosi, mësohet të ketë ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të djeshëm, në oborrin e banesës së 47-vjeçarit Ylli Kapllanaj. Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga 47-vjeçari, pas mesnatës së djeshme, rreth orës 01:00, kishte dëgjuar zhurma pranë banesës së tij. Ai ka pohuar se ka këqyrur nga dritarja e shtëpisë dhe ka vërejtur se në oborr ndodheshin disa persona që nuk arrinte ti shquante mirë, për shkak të errësirës. Sipas tij, ata po tentonin të hynin në banesë. Më tej, ai ka shtuar se, i ndodhur përballë këtij fakti ka marrë një automatik tip Kallashnikov që mbante në shtëpi dhe ka dalë në derë, duke qëlluar mbi personat që ndodheshin në oborr, duke iu kërkuar se çfarë bënin aty. Kapllanaj ka pohuar se kishte qëlluar me qëllim që ti trembte e të largoheshin, pasi ishte frikësuar se mos hynin në banesë dhe dhunonin atë dhe familjarët. Ka dëgjuar më pas zhurmat e hapave të personave që largoheshin me shpejtësi pas të shtënave dhe ka ndezur llambën e verandës. Kur ka zbritur në oborr ka konstatuar se një prej personave kishte mbetur i vrarë si pasojë e predhave të shtëna prej automatikut të tij.

flamur kapo pe ngjarjen e mallakastres vrasja e kryer nga kapllanaj ne mallakaster vrasja e kryer nga kapllanaj ne mallakaster (3) vrasja e kryer nga kapllanaj ne mallakaster (2) vrasja e kryer nga kapllanaj ne mallakaster (1)

Arrestimi

Pasi 47-vjeçari Ylli Kapllanaj është bindur se personi që ndodhej i gjakosur në oborrin e shtëpisë së tij kishte ndërruar jetë, ka njoftuar policinë për gjithçka kishte ndodhur. Menjëherë në banesën e tij kanë mbërritur mjaft forca policie, të cilat kanë nisur hetimin për zbardhjen e ngjarjes. Nga hetimet paraprake dyshohet se 47-vjeçari Kapllanaj ka shtënë mbi 21-vjeçarin Alushaj, pasi dyshohet se ky i fundit së bashku me tre persona të tjerë kanë shkuar për të vjedhur në banesën e tij. Në vendngjarje policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automatikë tip Kallashnikov dhe katër gëzhoja. Policia ka konkluduar paraprakisht se 47-vjeçari Kapllanaj nuk është gjendur në kushtet e vetëmbrojtjes dhe ka vendosur të kryejë arrestimin e tij në flagrancë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Kapllanaj është ndaluar për veprat penale të vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, dhe armëmbajtje pa leje, për shkak të automatikut tip Kallashnikov që Kapllanaj mbante në shtëpi. Viktima mësohet të ketë pasur origjinën e familjes nga fshati Belishovë i Rrethit të Mallakastrës, që ndodhet mjaft pranë me fshatin Ngraçie. Sipas policisë, dyshohet se Alushaj, duke njohur mirë zonën, mund të ketë udhëhequr edhe tre personat e tjerë ende të paidentifikuar për të kryer vjedhje në banesat e fshatit Ngraçie, një pjesë e të cilave nuk banohen më për shkak të rrëshqitjeve masive të tokës.

Banorët e zonës:

Edhe ne do të vepronim ashtu si Ylli Kapllanaj

Banorët e fshatit Ngraçie janë shprehur për gazetën se ka pasur edhe raste të tjera vjedhjeje banesash gjatë muajve të fundit. Sipas tyre, këto vjedhje kanë nisur që prej braktisjes së dhjetëra banesave, për shkak të rrëshqitjes së tokave. Njëri prej tyre, Flamur Kapo, është shprehur se kohët e fundit kishin nisur që ti ruanin me radhë banesat e braktisura, me qëllim që mos tu vidheshin mobiliet e sende të tjera që kishin lënë aty. Që kur rrëshqiti toka dhe dhjetëra banesa u braktisën, hajdutët nisën që ti bastisin ato. Ky nuk është rasti i parë që na sulmojnë për të na vjedhur shtëpitë dhe bagëtinë tonë. Neve na thoshin njerëzit se si ka mundësi që nuk arrinim ti kapnim hajdutët. Dyshoj se ky grup ka qenë edhe herë të tjera. Këto vjedhje na detyruan që muajin e fundit ne të vendosnim ti ruanim me radhë banesat që kemi braktisur pas rrëshqitjes së tokës, ka pohuar Flamur Kapo, i cili ka shtuar se kushdo që do të ishte në vendin e Yllit, do të bënte të njëjtën gjë.

Shkojnë për të vjedhur një shtëpi, kryefamiljari vret një nga hajdutët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›