Shkolla “28 Nëntori” fiton “Robotech III”, nxënësit me projekt robotik në shërbim të bujqësisë moderne

Gjimnazi “28 Nëntori” në Shkodër fiton vendin e parë në finalen e konkursit “Robotech III”, një garë që këtë vit mblodhi nxënës nga e gjithë Shqipëria në një sfidë plot energji, kreativitet dhe inovacion.
12 skuadra pjesëmarrëse në finale prezantuan dhe testuan projektet e tyre robotike, duke sjellë ide dhe zgjidhje të ndryshme teknologjike.
Juria shpalli fituese skuadrën “Gregor”, e cila u dallua për performancën dhe projektin e saj.
Ekipi fitues, i përbërë prej 6 nxënësish, arriti që me punën e tyre 3-mujore të sjellë projektin “Gregor”, i cili u vjen në ndihmë kryesisht fermerëve dhe agrokulturës në përgjithësi.
Konkursi “Robotech” vijon të krijojë një hapësirë të rëndësishme për të rinjtë, duke i nxitur ata të eksplorojnë botën e teknologjisë dhe të bashkëpunojnë përmes inovacionit.
/rtsh.al/