Shkolla “Profesionale Shërbime”, Korçë – Hapen 5 klasa të 10-ta, rritet numri i vajzave

Ky vit i ri shkollor ka nisur me rritje të dukshme të interesit për Shkollën Profesionale Shërbime në Korçë, ku janë hapur pesë klasa të dhjeta në të gjitha drejtimet që kjo shkollë ofron.
Drejtoresha e shkollës, Tatjana Mero, tha se kërkesat më të shumta kanë qenë për drejtimin Hoteleri-Turizëm dhe është rritur numri i vajzave që zgjedhin arsimin profesional.
“Jemi në kuotat e vitit të kaluar. Kemi hapur 5 klasa të të gjitha drejtimeve: Hoteleri-Turizëm, Ekonomi Biznesi, Bujqësi, Veterinari. Pozitive është se kemi regjistrime të vazhdueshme me rreth 30% të vajzave në të gjitha drejtimet”, u shpreh Mero.
Nxënëset të cilat e kanë zgjedhur këtë shkollë thonë se arsimi profesional është një mundësi më e mirë për të siguruar njohuri praktike dhe për të qenë më pranë tregut të punës.
Këtë vit në Shkollën Profesionale Shërbime janë regjistruar 70 nxënës në klasat e dhjeta, ndërsa në total shkolla numëron mbi 300 nxënës. Regjistrimet do të vijojnë të jenë të hapura deri në fund të muajit shtator.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/