E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla e Vashave në Korçë, synohet restaurimi i godinës historike dhe kthimi i saj në muze

Pas më shumë se 130 vitesh, Shkolla e Vashave në Korçë rrezikon të humbasë gjurmët e historisë së saj për shkak të amortizimit të godinës dhe mungesës së ndërhyrjeve ndër vite.

E lidhur me historinë e arsimit shqip dhe emancipimin e gruas, ndërtesa është riblerë nga komuniteti ungjillor, i cili ka nisur ndërhyrjet e para për ta mbrojtur nga degradimi dhe për të krijuar kushtet për restaurimin e saj.

“Është godina e parë që ka hyrë në pronësi të të Gjerim Qiriazit. Është godina e parë për shkollën e Vashave në Korçë edhe është kisha e parë ungjillore. Është vendi ku janë firmosur statutet e vëllazërisë së ungjilloreve 1892. Prandaj kjo shtëpi ka shumë vlerë për ne edhe kemi studiuar këtë vend”, tha David Hosaflook nga Instituti për Studimet Shqiptare dhe Protestante.

Synimi është rikthimi i godinës në identitet dhe shndërrimi i saj në një hapësirë muzeale. Ndërhyrjet e para fokusohen te mbrojtja e objektit nga dëmtimet e mëtejshme.

“Ky objekt edhe pse është monument kulture ka qenë i pabanuar prej vitesh tani dhe gjendja është e tmerrshme. Ka nevojë për ndërhyrje urgjente për ta ruajtur së paku”, tha ai.

Muzeu i ardhshëm synohet të sjellë për publikun dokumente, materiale dhe dëshmi që lidhen me historinë e Shkollës së Vashave, familjen Qiriazi, arsimin e vajzave dhe zhvillimet e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›