Turizmi në rritje, hotelet në pritje – Vetëm 4 në 10 dhoma të zëna

Më shumë se 5 milionë hyrje të shtetasve të huaj u regjistruan në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, 6.2% më shumë se një vit më parë.
Kosova dhe Italia mbajnë peshën kryesore, me rreth 46% të të gjitha hyrjeve, ndërsa vetëm nga Kosova u regjistruan mbi 1.7 milionë hyrje. Fluksi turistik vijoi rritjen edhe në qershor, kur numri i vizitorëve të akomoduar në struktura turistike u rrit me 17%.
Megjithatë, norma e shfrytëzimit të dhomave të hoteleve ishte vetëm 41.3%, nga 39.5% një vit më parë.
Kjo do të thotë se, nga çdo 10 dhoma hoteli të disponueshme, vetëm rreth 4 rezultojnë të zëna, ndërsa 6 mbeten bosh.
Diferenca mes rritjes së numrit të turistëve dhe shfrytëzimit të hoteleve krijon një asimetri që kërkon shpjegim.
Një pjesë e vizitorëve mund të zgjedhë apartamente apo dhoma me qira ditore, ndërsa mbetet për t’u parë edhe pesha që mund të ketë informaliteti në këtë treg.
Edhe net-qëndrimet u rritën me 9.8%, më ngadalë se numri i vizitorëve, çka mund të lidhet edhe me qëndrime më të shkurtra.
Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi e profesionale ishin rreth 116 mijë, ndërsa mbi 166 mijë hyrje u regjistruan nga udhëtarë transit, kategori që nuk përkthehen domosdoshmërisht në qëndrime turistike.
/rtsh.al/