“Shkolla të Pastra”/ Shisnin drogë pranë shkollave në Tiranë dhe i shpërndanin me monopatina, taksi e delivery, 38 të arrestuar dhe 14 në kërkim

Një operacion i gjerë antidrogë është finalizuar në Tiranë pas katër muajsh hetime, ku janë goditur disa grupe që dyshohet se shisnin lëndë narkotike pranë shkollave dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Policia e Tiranës ka zhvilluar operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”, ku gjatë hetimeve janë identifikuar 52 shtetas, të cilët, të veçuar ose në grupe, dyshohet se merreshin me shitjen e lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar 38 persona, ndërsa 14 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim.
Nga hetimet është dokumentuar se grupet e goditura shisnin lëndët narkotike pranë shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të ndryshme të Tiranës. Në disa raste, për të shmangur vëmendjen e policisë, shpërndarja e lëndëve narkotike kryhej përmes monopatinave, shërbimeve taksi dhe delivery.
Gazetarja e RTSH 24 Flutura Tota raporton se mes të arrestuarve janë edhe Ferit Xhani si dhe ish-efektivi i Policisë së Shtetit, Engrid Henaj, të cilët janë edhe krerët e grupit të shpërndarësve të drogës në shkolla.
Të arrestuarit Ferit Xhani dhe Engrid Henaj
Policia vijon punën për kapjen e 14 personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
“Në kuadër të operacionit të koduar “SHKOLLA TË PASTRA”, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” për 31 shtetas dhe konkretisht:
J., 48 vjeç; E. B., 34 vjeç; E. O., 48 vjeç; B. K., 41 vjeç; E. V., 27 vjeç; D. Sh., 30 vjeç; A. K., 32 vjeç; E. H., 29 vjeç; J. N., 29 vjeç; Sh. Ç., 45 vjeç; E. H., 39 vjeç; E. M., 21 vjeç; F. P., 22 vjeç; K. M., 22 vjeç; R. T., 19 vjeç; K. M., 33 vjeç; I. D., 35 vjeç; F. Xh., 36 vjeç; B. M., 22 vjeç; I. A., 21 vjeç; A. L., 21 vjeç; S. A., 31 vjeç; E. T., 49 vjeç; A. P., 34 vjeç; V. M., 43 vjeç; D. M., 52 vjeç; E. P., 33 vjeç; N. Sh., 32 vjeç; A. K., 37 vjeç; T. A., 24 vjeç dhe V. R., 23 vjeç. Gjatë fazës hetimore janë ndaluar dhe 7 shtetas të tjerë, konkretisht shtetasit K. C., G. M., Zh. P., E. T., D. Sh., D. F. dhe M. T.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu janë sekuestruar 1 kilogram e 75 gramë heroinë, 1 kilogram e 265 gramë kokainë dhe 685 gramë Cannabis Sativa, një armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, dy peshore elektronike, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/