E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat e papërgatitura, vihet dryni një javë para nisjes së vitit shkollor

Gazeta Shqip

Tirana, Elbasani, Durrësi, Kukësi, Fieri pa fonde, pa higjienë. Nxënësit shpërndahen në godina të tjera 

Këtë vit shkollor shumica e nxënësve në të gjithë vendin do të transferohen në shkolla të tjera, për shkak se ende nuk ka mbaruar rikonstruksioni. Mësimi me dy turne do të zhvillohet çdo ditë jo vetëm për shkak të fluksit të regjistrimeve, por edhe të mbylljes së disa institucioneve. Këto shkolla kanë infrastrukturë të vjetruar, mungesë të fondeve për rikonstruksion e sidomos për mosplotësimin e kushteve higjieno-sanitare. Në Durrës, Fier, Elbasan, Kukës, Tiranë, një numër i konsiderueshëm shkollash nuk do të hapin dyert për mësim.

Tiranë

Një muaj më parë Drejtoria e Higjienës në Tiranë deklaroi se 4 shkolla janë në kushte të mjerueshme për sa i takon higjienës. Në prag të çeljes së vitit shkollor kreu i Drejtorisë numër 3 të administrimit të qytetit, Alfons Muça, deklaron për gazetën Shqip se në tre shkolla janë marrë masat dhe gjendja është përmirësuar, ndërkohë që shkolla Ahmet Gashi është vendosur të mbyllet. Jemi në diskutime për mbylljen e kësaj shkolle, godina është tejet e amortizuar, bëhet fjalë për një ndërtim në vitet 60. Tre shkollat e tjera Kongresi i Lushnjës, Siri Kodra, Niket Dardani janë në gjendje pune, deklaroi Muça. Sipas tij, investimet e bashkisë parashikojnë rikonstruksion nga e para për katër institucione parashkollore. Drejtoria e higjienës ka paraqitur në raportin inspektues se shkolla Ahmet Gashi nuk mund të presë fëmijë, përveç infrastrukturës nuk plotëson kushtet e higjienës.

Elbasan

Në Elbasan rreth 10 shkolla të ciklit parashkollor, 9 vjeçar dhe të mesëm rrezikojnë që të mos çelen si pasojë e mungesës së higjienës. Kreu i Shëndetit Publik, Bujar Kllogjeri, bën me dije se gjatë inspektimeve janë vënë re një sërë problematikash, të cilat lidhen me infrastrukturën, me mungesën e mjeteve didaktike dhe me kushtet higjeno-sanitare të këtyre shkollave. Kllogjeri thotë se, nëse nuk merren masat për normalizimin e situatës, atëherë dyert e këtyre shkollave nuk do të hapen për qindra nxënës, duke rrezikuar procesin mësimor.

Fier

Rreth 50 fëmijët e fshatit Vjosë të komunës Cakran të rrethit Fier, që mësojnë në shkollën nëntëvjeçare të këtij fshati, rrezikojnë vitin e ri mësimor. Shkak për këtë është bërë gjendja e mjerueshme e godinës së shkollës, që është tërësisht e amortizuar dhe e shkatërruar. Gjendjen e keqe të godinës së shkollës e ka pranuar për gazetën edhe kreu i Komunës Cakran, Vladimir Korçari, i cili pohoi se nuk ka fonde për të ndërhyrë në këtë godinë. Sipas tij, borxhet që komuna i ka kompanisë ÇEZ kanë sjellë bllokimin e fondit të kësaj njësie vendore nga Ministria e Financave. Përgjegjësi i sektorit të Higjienës pranë DRSHPF-së, mjeku Laze Hoxha u shpreh se, nëse nuk do të ketë ndërhyrje për rikonstruksionin e godinës, do të nxirret vendim për bllokimin e aktivitetit mësimor për këtë vit të ri shkollor. Ai shton se në këtë gjendje janë edhe godina të disa shkollave të tjera në komunën Kurjan, Frakull.

Durrës

Në rrethin e Durrësit katër shkolla nuk do të mund të nisin procesin mësimor në godinat e tyre më 10 shtator. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria Rajonale e Arsimit në Durrës. Në shkollën e re 9 vjeçare të Fllakës mësimi nuk do të nisë normalisht. Drejtori i DAR-it, Filip Gjonçi ka menduar të kërkojë një shtyrje 10 ditore për fillimin e shkollës atje, ose, në të kundërtën, do të zhvillohet përkohësisht në dy ambiente private të fshatit, si vitin e kaluar. Ndërkaq, në fshatin Rreth të komunës Xhafzotaj mësimi nuk do të zhvillohet, pasi shkolla është në ndërtim dhe nxënësit e saj do të udhëtojnë drejt shkollës së fshatit të afërt, Pjesëz, deri në përfundim të shkollës së fshatit.

Dimri i shkuar la pasoja

 

Kukës, shkollat në zonat

rurale pa ujë e pa tualete

Në Bashkinë e Kukësit po bëhen përgatitjet e fundit për riparimin dhe për plotësimin e çdo mungese në godinat shkollore, në mënyrë që 10 shtatori ti gjejë të përgatitur.

Por nuk është e njëjta panoramë për zonat rurale, ku dimri i shkuar ka lënë mjaft pasoja dhe ku një numër godinash u dëmtuan mjaft rëndë. Në Drejtorinë e Arsimit mësohet se vetëm dy shkolla kanë raportuar se që sot janë të gatshme për të pritur fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa në shumë prej tyre, edhe pse ende punohet, ka mungesa të theksuara, që zor të riparohen në pak ditë. Drejtori Ylli Metaliaj konfirmon rikonstruksionin e dy shkollave në zonat fshatare, përkatësisht në Bushtricë dhe në Ujmisht dhe thotë që u ka kërkuar të gjitha njësive vendore informacion të detajuar për gjendjen e godinave. Problemi më i rëndë për shumë prej shkollave rurale në rrethin e Kukësit është mungesa e ujit të pijshëm dhe mjediset jofunksionale sanitare.

Berat

Në Bashkinë Berat disa prej godinave janë duke u rinkonstruktuar, ndërsa, dhe ato që janë përfunduar, kanë mungesa në banka apo në laboratorë

Shkodër

Në rrethin e Shkodrës pritet që viti shkollor të nisë normalisht me hapjen e çdo shkolle, sipas çdo parashikimi, shprehen drejtues të arsimit në Shkodër

Tiranë

Pas raportit të Drejtorisë së Higjienës u sistemuan 4 shkolla, ndërkohë që është marrë vendimi për mbylljen e Ahmet Gashit, e ndërtuar në vitet 60

Shkollat e papërgatitura, vihet dryni një javë para nisjes së vitit shkollor burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›