Aleanca Kuq e Zi: Bumçi ka shkatërruar monumentet
Denoncimi
Në një takim me intelektualë dhe artistë, Aleanca Kuq e Zi ka denoncuar atë që e ka quajtur dosje për veprat penale të kryera nga Ministri Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi. AKZ-ja publikoi një listë shumë të gjatë të monumenteve dhe veprave të trashëgimisë kulturore të shkatërruara sipas tyre me firmën dhe vendimet e ministrit të Kulturës. Sipas tyre, është duke u përgatitur dosja për tia paraqitur Prokurorisë mbi dëmin që i ka ardhur identitetit dhe integritetit kombëtar të vendit. “Arti dhe kultura duhet ti paraprijnë bashkimit kombëtar në kufijtë e vetë etnik. Mafia bardheblu dhe mafia e kuqe në këto 22 vite rrënuan monumente, vepra arti, kështjella, teatro, kinema, biblioteka. Në vitin 1990 ishin 80.000 monumente të trashëgimisë kulturore që mbroheshin me status të veçantë, ndërsa sot as gjysma e tyre. Shkatërrimi i shtëpive të Gërmenjit dhe të gjithë rilindësve është një krim shtetëror antishqiptar dhe padyshim historia mijëra vjeçare e kombit po asgjësohet nga bandat e lincesimeve për gërmime arkeologjike, nga të cilat të gjitha objektet arkeologjike trafikohen në tregun e zi”, ka thënë kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Sipas listës së publikuar nga AKZ-ja, 160 shtëpi monumente janë drejt zhdukjes në Gjirokastër, 11 objekte të kategorisë së parë të zhdukura në Korçë, Elbasan, Shkodër, Durrës, dhjetëra objekte në Berat. Kontratat e qirasë së ministrit Bumçi për kalatë e Lezhës, Peqinit, Porto Romanos, Ardenicës, etj po shndërrojnë historinë tragjike të korruptimit një deputet-një kala, ka thënë Spahiu.
Aleanca Kuq e Zi: Bumçi ka shkatërruar monumentet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip