Shkon në 7 numri i grevistëve, një tjetër ish i përndjekur shtrohet në spital
Reduktohet në 7 nunmri i ish të përndjekurve politike që vazhdojnë grevën e urisë, pasi një tjetër grevist ka lënë grevën mbrëmjen e sotme si pasoje e gjendjes së rënduar shëndetësore.Vllasi Koçi, 55 vjeç, nga Vlora, i cili më parë kishte refuzuar ndihmën mjekësore, nuk ka mundur të vazhdojë më dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Në ditën e 24 të grevës së urisë, Koci kishte shfaqur probleme shëndetësore në zemër edhe më herë gjatë ditës, por nuk kishte pranuar të ndërpriste grevën.
Ndërkaq, kryeministri Sali Berisha mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij, pasi në një reagim në mbledhjen e grupit demokrat e rivlerësoi grevën si politike, e cila sipas tij po menaxhohet nga një kriminel ordiner si, Skënder Tufa.
Nga ana tjetër kreu i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Skënder Tufa deklaroi, në një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, se tashmë gjendja e grevistëve është tepër e rëndë dhe se duhet një reagim i menjëhershëm i shtetit për zgjidhje, në përputhje me ligjin, me qëllim që të mos ketë viktima në njerëz.