Shkon në gjyq grupi i drogës, trafikoi kokainë nga Amerika Latine në lëkurë gjedhësh

Mbyllen hetimet për rrjetin ndërkombëtar të drogës që trafikoi kokainë përmes ngarkese prej 48 ton lëkurë gjedhi nga Amerika Latine drejt vendit tonë.
Kokaina e një cilësie të lartë e papërpunuar ishte fshehur në 850 lëkurë të kriposura bagëtish.
Ndarja do të kryhej në një laborator në Qerekë të Krujës, nga venezuelianë dhe kolumbianë, që sipas SPAK njihen për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës.
Po ashtu ambiente ndihmëse janë përshtatur edhe në Tiranë dhe Durrës.
SPAK: Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës.
Shtatë nga personat që përfunduan pas hekruave janë shqiptarë. Prokuroria njoftoi se lejoi që dy ngarkesat e tyre të fundit në shtator dhe nëntor të gjurmoheshin që nga vendi i origjinës për të provuar ekzistencën e grupit kriminal, derisa në nëntor të 2024 u finalizua operacionin me 10 mandate arreste.
Struktura e grupit përfshinte role të mirë përcaktuara, financues, transportues, përpunues dhe shpërndarës, të cilët siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë për të bërë ndarjen nga lëkura e gjedhit në kokainë të pastër.
Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.
Hetimi intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, është udhëhequr nga prokurori Adnan Xholi në bashkëpunim me agjencitë e huaja ligjzbatuese.
Më herët SPAK ka hetuar edhe një tjetër rast të trafikut transnacional të drogës e fshehur në pleh kimik, laboratori i së cilës ishte ngritur në Frakull të Fierit.