E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimet e panjohura të Mustafa Krujës



Shkrimet që botohen për herë të parë në revistën “Hylli i Dritës”, bëjnë pjesë në ciklin e studimeve historike të Mustafa Krujës, të hartuara në periudhën e fundit të jetës së tij. Ato duhet të jenë shkruar në vitet 1952-’53.

Themi “duhet” mbasi nuk kemi asnjë datë të shënuar në dorëshkrimet origjinale. Ato janë me shkrim dore e përbëhen nga fletë të ndara përgjysmë së gjati, herë të plota e herë jo. Fakti duket i pabesueshëm, por mbetet një fakt. Është e lehtë për këdo të nxjerrë si përfundim ngushtësinë ekonomike, për të mos thënë varfërinë, në të cilën ndodhej autori kur ka shkruar këto “shënime të shkurtna” siç shprehet ai vetë. Në vetminë e ditëve të mërgimit, i ballafaquar cdo ditë me vështirësitë materiale, me shpirtin e brengosur për familjarët në Shqipëri të burgosur e t’internuar, ai gjente forcë të shkëputej nga ai realitet i kobshëm e të zhytej thellë në botën e studimeve. Ishte gjithmonë n’aktivitet, një aktivitet mendor i paprerë, që rrokte fusha të ndryshme të dijes, por që kishte si strumbullar të tijin gjuhën shqipe dhe historin’ e shqiptaret. Në të katër kontinentet e botës ku fati e çoi, që nga mosha e njomë e deri në ditët e fundit të jetës tokësore, këto dy disiplina shkencore kishin pushtuar gjithmonë mendjen e tij. Gjuha shqipe, larmia e saj, dialektet, studimet parardhëse shekullore, fondi leksikor, etimologjia e fjalëve, ndikimet e ndërsjella, ishin burimet e pashterueshme ku ushqehej shpirti kërkues prej shkencëtari që e karakterizonte. Historia e shqiptarëve, origjina e tyre, figurat e shquara të prijësve të tyre, njerëzit e kulturës e të përparimit, qëndresa ndaj pushtimeve të huaja, sakrificat e mundi për të krijuar një shtet, ballafaqimi me fqinjët e me botën, janë argumentet që Mustafa Kruja i kaloi në sitën e tij të hollë t’analizës së paanëshmee drejtpeshuese. Në punën e tij prej studiuesi ai mbronte e respektonte një parim të cilin nuk e vuri kurrë në pikëpyetje; vërtetësinë. Ishte ai tempulli ku falej ngaherë muza e tij, në kërkim të ngjarjeve, të mëdha e të vogla të popullit të tij, gjatë mijëvjeçarëve. Ehe përkushtimi i një jete të tërë në shërbim t’atdheut nuk arrin të ndikojë në kriterin e së vërtetës, që mbetet boshti i shkrimeve të tij. Në tavolinën e punës atdhetari i lëshon vendin historianit. Shqiptarët nuk kanë nevojë t’a shtrembërojnë historin’ e tyre, t’i japin vetes merita të paqena, t'anashkalojnë gabimet, fajet, krimet, të shkarkojnë mbi të tjerët dështimet e të nxjerrin në pah vetëm virtytet, fitoret, lavdinë. Një gjë e tillë mund të jetë gjithçka, një propagandë, në disa raste edhe e dobishme, por nuk është histori. Ajo nuk mund të jetë një mësim për t'i a trasmetuar brezave, edhe se në dukje përkëdhel krenarinë e tyre. Një shembull të kësaj lloj historie e kemi perceptuar të gjithë ne në gjysëm shekullin e shkuar, kur atdhetarë të përkushtuar me të gjitha forcat çështjes kombëtare gjatë gjithë jetës së tyre quheshin "tradhtarë", kurse të tjerë njerëz pa asnjë farë merite zinin vënd në panteonin shqiptar, ku miqt' e vërtetë të Shqipërisë quheshin armiq të paepur ndërsa këta të fundit zinin bashin e vatrës, ku historia e botës ishte reduktuar në një vazhdë "kryengritjesh" të skllevërve e të fshatarëve dhe vetë simboli i fillimit t'erës sonë, lindja e Jezu Krishtit ishte zëvendësuar me termin "era e re".

Në shkrimet e Mustafa Krujës nuk ka vënd për interpretimet ideologjike, ngjarjet tregohen në mënyrë të përmbledhur, të përqëndruara në datat. Ndërhyrjet e autorit për të spjeguar çaste të ndryshme historike, domethënien e vendimeve, apo prapaskenat e ngjarjeve në zhvillimin e tyre, na zbulojnë edhe nuhatjen e burrit të shtetit, cilësi që fitohet jo vetëm nga studimet, por edhe nga përvoja vetiake. Gjykimet e vlerësimet i nënshtrohen edhe kriterit moral, veç atij politik apo historik. Në tre shkrimet e kemi një kronologji të shekullit XIX e të episodeve më të rëndësishme për Shqipërinë, ndoshta i ndihmuar edhe nga ndonjë enciklopedi, në një nga gjuhët e huaja të shumta që njihte. Copat e letrave, në të cilat janë shkruar studimet me një kaligrafi të bukur, kanë edhe korigjime, fshirje apo shtesa, gjë që tregon se autori kthehej përsëri tek to, i lëmonte, ndreqte ndonjë pasaktësi, shtonte diçka apo hiqte diçka. Çdo copë letër ka inicialet e titullit të shkrimit. Në më shumë se pesëdhjetë vite shtegtimesh ato copa letre nuk janë më të tëra, mjaft prej tyre kanë humbur e veprat janë fragmentare.

Shkrimet që paraqiten në këtë numër të “Hyllit të dritës” janë : "Ali Tepelena", "Çashtj'e Orjentit", "Kulturë shqiptare" dhe "Pse Enver Hoxha asht në krye". I pari trajton historinë dhe personalitetin e Vezirit të famshëm të Janinës, që nga lufta me Suljotët deri në vrasjen e tij. Nga të gjitha shkrimet e botuara së fundi, duke përfshirë këtu edhe "Lidhja e Prizrenit", kjo vepër është më e plota. I dyti jep një panoramë të ngjarjeve kryesore të jetës politike të Perandorisë Turke e të marrëdhënieve me fuqitë evropiane në një hark kohe që shkon nga 1800 deri më 1878, kur krijohet Lidhja e Prizrenit. Këto ngjarje drejt për së drejti apo tërthorazi janë të lidhura me fatet e Shqipërisë. I treti është një enciklopedi e vockël në të cilën autori shpreh pikëpamjet e tij mbi figura të ndryshme të jetës kulturore e politike të Shqipërisë së kohës së tij por edhe më përpara. I katërti shpreh konsideratën e autorit për drejtuesit kryesorë të komunizmit shqiptar, Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun.

"Hylli i Dritës", revista e mirënjohur e kulturës shqiptare, e themeluar nga miku i Mustafa Krujës, poeti kombëtar At Gjergj Fishta, e quajti me vend botimin e këtyre shkrimeve, duke i lënë lexuesve fjalën e fundit përsa i përket dobisë e vlerësimit të tyre. Kësaj Reviste i shkon falënderimi i përzemërt i familjes s'autorit.

*nipi i Mustafa Krujës

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›