Shkrumbohen 5 shtëpi e 80 dyqane në Shkodër, banorët në qiell të hapur. Tregtarët me lot në sy: Mbanim familjet me bukë

Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu tregun e rrobave të përdorura pasditen e së premtes në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër krijoi një situatë të jashtëzakonshme. Ai nisi fillimisht brenda tregut, duke u përhapur në banesat që ndodheshin pranë dhe në pak minuta u shkrumbuan 5 prej tyre dhe 80 njësitë tregtare.
Beteja me flakët u kthye në një mision të vështirë për shërbimin zjarrfikës të Shkodrës që u angazhua me 21 mjete dhe 110 efektive, ndërsa në ndihmë të tij u mobilizuan edhe 30 forca të Policisë, 20 të Ndërhyrjes së Shpejtë, 3 autoambulanca me personel nga Spitali lokal si dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.
Më pas mbërritën edhe zjarrfikëset e Malësisë së Madhe, Lezhës, Ulqinit e Tivarit.
Një ditë pas zjarrit që vijoi të jetë aktiv në vatra të vogla, në zonë gjithçka është shkrumb dhe hi.
Shkaqet e këtij zjarri ende nuk janë përcaktuar nga grupi hetimor.
Tregtarët me lot në sy, janë rikthyer në vendin e punës, por këtë herë për të parë shkatërrimin që lanë pas flakët.
Banesat e djegura ishin një tjetër sfidë për shërbimin zjarrfikës në këtë luftë me flakët.
Familja Sykja, të cilës këto flakë i shkrumbuan banesën, sot ka mbetur në qiell të hapur dhe pret ndihmë.
Një banore e zonës dhe dy punonjës të Forcave Zjarrfikëse përfunduan në spital nga asfiksia, ndërsa ky rast po hetohet nga prokuroria. Një prej pistave sipas burimeve nga Vizion Plus është edhe ajo e një zjarrvënie të qëllimshme./vizionplus.tv