E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, Kuvendi: ok marrëveshjes së kufijve

SHKUP- Kuvendi i Maqedonisë miratoi me 72 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, ratifikimin e marrëveshjes për shënimin fizik të kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës.

Gjatë debatit, i ci zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, opozita maqedonase ripërsëriti qëndrimet se me këtë marrëveshje, Maqedonia i dhuron Kosovës pjesë të territorit të saj, dhe paralajmëroi se marrëveshjen do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Demokracisë së Re, theksuan se marrëveshja siguron zgjidhjen e çështjes së kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës, krijon stabilitet në rajon dhe hap perspektivat e vendit për anëtarësim në BE. Ministri i Jashtëm Antonio Milloshovski, duke e arsyetuar miratimin e kësaj marrëveshje tha se ajo është në funksion të stabilitetit në rajon, pasi përmbyllet një çështje e vogël dhe e rëndësishme si dhe krijohen marrëdhënie të mira mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.

Edhe Kryeministri Nikolla Gruevski ka theksuar se Maqedonia nuk humb asnjë milimetër tokë nga territori i saj me marrëveshjen e kufirit me Kosovën. Gruevski sulmoi opozitën se po manipulon dhe po frikëson opinionin publik në dëm të shtetit.

Në debatin parlamentar gjatë ditës së djeshme deputetët e opozitës kërkuan që tu ndahen hartat topografike për të parë nëse Kosovës i jepet më shumë territor se sa 150 metra aq sa parashikohet me Marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare, e miratuar në vitin 2001.

Kuvendi i Kosovës e ratifikoi dje marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, të miratuar nga qeveritë në Prishtinë dhe Shkup. Në mungesë votash të mjaftueshme, Kuvendi dështoi ta ratifikojë atë që në votimin e parë. Për këtë u desh që të kërkohej mbajtja e seancës së re të jashtëzakonshme, në të cilën marrëveshja u ratifikua me 81 vota pro, tri vota kundër dhe dy abstenime.

Mbyllja e kësaj çështjeje hap rrugën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë, e cila e ka njohur shtetin e ri para më shumë se një viti.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›