E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Regjistrimet në klasë të parë, aplikimi në e-Albania për të gjithë shkollat e vendit

Përpjekjet e prindërve për të regjistruar fëmijët në shkollën më të mirë apo për të përzgjedhur mësuesin e tyre të preferuar do të rezultojnë të pasuksesshme këtë vit.

Regjistrimet e fëmijëve që hyjnë në klasë të parë nga dita e djeshme 4 korrik kanë nisur të bëhen online nëpërmjet portalit e-Albania për të gjitha shkollat e vendit dhe prindërit janë të detyruar ta regjistrojnë fëmijën në institutin arsimor që u nxjerr sistemi, sipas vendbanimit që ata figurojnë.

Drejtoresha e shkollës “1 Maji“ Entela Gjondedaj sqaron se pasi përfundon aplikimi emri i fëmijës shfaqet në sistem sëbashku me adresën e tij dhe më pas veprohet për ta pranuar apo jo këtë kërkesë.

Regjistrimi online do të shmangë dorëzimin e një sërë dokumentash në sekretaritë e shkollave, por njëkohësisht ka shtuar stresin e prindërve të cilët janë të detyruar të pranojnë çfarë ju ofron sistemi.

Nga ana tjetër regjistrimi duke mos respektuar kriterin e vendbanimit krijonte mbingarkese dhe problematika për shkollat më popullore.

Veç klasave të para regjistrimi online do të zhvillohet këtë vit edhe për klasat e 10-ta.

Prindërit do të kenë mundësi të regjistrojnë fëmijët për klasat të parë nga data 4-17 korrik, ndërsa regjistrimet për vit të parë të shkollës së mesme do të zhvillohen 12-24 korrik.

Pas përfundimit të kësaj faze të parë regjistrimesh Drejtoria Arsimore do të vendos nëse do t‘i rihapë regjistrimet në një fazë të dytë në muajin gusht apo jo.

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›