Shkup/ Ministri Hasani: Korridori i VIII-të nuk është më një projekt në letër, bashkëpunimi mes dy vendeve është jetik për të ardhmen

Ministri për Evropën dhe punët e jashtme Igli Hasani vijoj turin e tij Ballkanik. Sot ai ndodhet ne Maqedoninë e veriut ku u prit nga homologu, Bujar Osmani .
Në fjalën e tij, shefi i diplomacisë shqiptare tha se dy vendet kanë një përkushtim të jashtëzakonshëm në rrugën drejt BE-së. Ai theksoi faktin se zgjedhja për here te pare e një kryeministri shqiptar tregon progres.
“Besoj që fakti që Maqedonia e Veriut, edhe pse përkohësisht, do të ketë për herë të parë në historinë e saj një kryeministër shqiptar, është një tregues simbolik i progresit që ka bërë ky vend e kjo shoqëri, për çka unë dua t’ju shpreh respektin e admirimin tim të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ne mbështesim dhe inkurajojmë vazhdimin e përpjekjeve dhe arritjeve të Maqedonisë së Veriut për ndërtimin e një shoqërie funksionale multietnike të bazuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të Ligjit të Gjuhëve.
Nga ana tjetër ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se duhet të rritet bashkëpunimi ekonomik.
‘Në takim i hapëm edhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, të cilat, për fat të keq, mbeten shumë prapa marrëdhënieve të shkëlqyera politike. Shkëmbimi tregtar, i cili mezi i kalon 200 milionë euro, nuk korrespondon me kapacitetet e dy ekonomive, me potencialin e bizneseve, me afërsinë e dy vendeve dhe me marrëdhëniet e vendosura të ngushta. Ne marrim përsipër ta ngremë këtë çështje lart në prioritetet e diplomacisë, si në resorët ekonomikë, në odat, ashtu edhe në programet e qeverive të të dy vendeve.’.
Në agjendë janë parashikuar takime edhe me zv.kryeministrin Bojan Mariçiç , si edhe zv.kryeministrin Artan Grubi e kryetarin e Kuvendit, shqiptarin Talat Xhaferri.
Gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, Hasani do të zhvilloje bisedime edhe me krerët e partive politike shqiptare./vizionplus.tv