E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, partitë dhe Qeveria fajësojnë njëra tjetrën për dështimin në BE

Zëvendëskryeministri për eurointegrime i Maqedonisë, Fatmir Besimi deklaroi sot të gjitha subjektet politike janë përgjegjëse për procesin e eurointegrimeve të vendit.

Ai bëri thirrje për përkushtim maksimal dhe gjithëpërfshirës të të gjitha partive politike në dialog me institucionet qeveritare.

“Duhet që të gjithë të jemi të përfshirë në zgjidhjen e çështjeve të hapura që të arrijmë progres në rrugën drejt BE-së. Të kemi qëndrime të unifikuara, para se gjithash mendoj në çështjen e emrit. Në këtë drejtim janë bërë shumë angazhime, mbetet të përqendrohemi dhe ta realizojmë këtë qëllim”, theksoi zëvendëskryeministri Besimi në seancën parlamentare ku sot deputetët i parashtruan pyetje kabinetit qeveritar, shkruan noa.

Sipas tij, duhet të bisedohet hapur për sfidat, marrëdhëniet e mira fqinjësore si dhe dialogun politik në vend, duke konkretizuar qëndrimet për kontestin e emrit.

Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Bekim Fazliu theksoi se pikërisht zëvendëskryeministri është përgjegjës për mossuksesin dhe mosmarrjen e datës së sërishme për negociata. Sipas tij, për përparimin në eurointegrimet, përveç zgjidhjes të çështjes së emrit, duhet të plotësohen edhe kriteret tjera nga sfera e gjyqësisë, administratës, mediave.

Edhe deputeti dhe ish-ministri i jashtëm nga radhët e VMRO-DPMNE, Antonio Milloshoski gjithashtu kërkoi përgjegjësi dhe dorëheqje nga zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi, për shkak të dështimit të vendit për marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Maqedonia sot dështoi në Samitin e Bashkimit Europian, pasi ajo nuk u përfshi në asnjë nga konkluzat e miratuara nga ky takim i nivelit të lartë europian./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›