E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shlyerja e borxhit 8.5 mln USD ndaj Serbisë kalon në Kuvend

Projekti i qeverisë që parashikon shlyerjen e një borxhi rreth 8.5 milionë dollarë ndaj Serbisë ka kaluar për miratim në Kuvend. Në relacionin përkatës, Ministria e Financave ka shpjeguar se, shuma në fjalë është krijuar nga një marrëveshje pagesash ndërmjet vendeve qysh në vitin 1990 dhe përfshinte një shumë prej 23.8 milionë dollarësh. Mirëpo pas ndarjes së ish-Jugosllavisë, Shqipëria i detyrohet Serbisë vetëm 8.5 milionë USD. Shuma e interesit për periudhën 1 tetor 2009, deri në datën e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, më 31 mars 2011, është në total 66 mijë dollarë dhe do të paguhet bashkë më këstin e parë të principalit. Në kuadrin e borxheve të trashëguara nga periudha komuniste, Shqipëria ka marrë angazhimin t’i kthejë Greqisë borxhet që ia kishte marrë asaj në vitet 1987-1991. Po ashtu, në vendim thuhet se, detyrimet ishin konkretisht ndaj Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Organizatës së Sigurimit të Kredive të Eksportit. Sipas Ministrisë së Financave, borxhi është marrë gjatë viteve 1987-1991, kur Shqipëria po kalonte momente të vështira ekonomike, ndërsa sistemit komunist po i vinte fundi. Shteti ynë i kishte Bankës Kombëtare të Greqisë 7.5 milionë dollarë, ndërsa diferenca i takon Organizatës së Sigurimit të Kredive të Eksportit. Po ashtu, buxheti i shtetit ka të trashëguar një borxh ndaj Kinës, që arrin në 37,2 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre huave janë marrë para vitit 1991, gjatë periudhës kur marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kinës ishin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Procedurat për pagimin e borxheve kanë nisur që në vitin 1993, megjithëse edhe sot nuk dihet akoma shifra e saktë e tij. Mes vendeve që shteti shqiptar ka borxhe janë edhe Rusia dhe Zvicra. Kësaj shume i bashkëngjiten edhe borxhet që Shqipëria iu ka marrë shteteve apo institucioneve financiare ndërkombëtare, që nga viti 1991 dhe deri më sot. Ato arrijnë në mbi 1.3 miliardë dollarë. Nëse do t’i shtojmë edhe borxhin e brendshëm, shuma arrin rreth 4.5 miliardë dollarë, një barrë e rëndë kjo për shtetin tonë të varfër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›