Mazhoranca miraton e vetme shitjen e HEC-eve
Privatizimi i HEC-eve ka marrë miratimin vetëm të mazhorancës. Ligji në fjalë u votua vetëm nga 73 deputetët e koalicionit qeveritar. Në këtë mënyrë i është hapur rruga privatizimit të hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit, Bistrica 1 dhe 2, si dhe HEC-it të Lanabregasit. Ligji në fjalë parashikon që këto hidrocentrale fillimisht të ndahen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe të krijohen si shoqëri më vete dhe më pas të kalojnë për shitje. Deputetët e mazhorancës gjatë diskutimeve në seancën e djeshme plenare janë përpjekur të kundërshtojnë akuzat e opozitës në lidhje me çështjen e privatizimeve. Ata argumentuan se të ardhurat që do të grumbullohen, do të përdoren për financimin e veprave publike. Deputeti demokrat Selami Xhepa u shpreh se privatizimi i këtyre hidrocentraleve është një proces normal në kuadrin e liberalizimit të tregut të energjisë. Sipas tij, është e habitshme pse opozita e ka kthyer në një çështje kaq të rëndësishme kundërshtimesh. Ai theksoi se privatizimi i HEC-eve do të sjellë përfitime në ekonominë shqiptare.
“Nuk do të shiten pasuritë natyrore siç është uji, nuk do të shitet baseni i krijuar në digën e këtij hidrocentrali, pra rasti duhet të jetë i qartë. Ose shitja e asetit, ose shitja e investimit, duke vënë në përdorim te sektori privat me një kontratë të koncesionit. Prandaj po i theksoj këto, për të thënë që janë spekulime të pastra,” tha deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, sqaroi se privatizimi i hidrocentraleve të mësipërm do të liberalizojë edhe më tej sektorin e prodhimit të energjisë elektrike në vend, duke rritur konkurrencën në treg dhe duke krijuar hapësira të mëtejshme për pjesëmarrjen e investimeve të huaja në këtë sektor të rëndësishëm. “Të tjerët bëjnë llogjie, ne bëjmë privatizime, të tjerët flasin pallavra, ne ndërtojmë rrugë. Me këtë që po them, e vetmja rrugë është që edhe kolegët e krahut tjetër të ecin në rrugën që ne po ndërtojmë, të bëhen pjesë e debatit për privatizimin e këtyre ndërmarrjeve”, tha deputeti demokrat Florion Mima. Ligji në fjalë gjatë votimit në komisionin kuvendor të Ekonomisë dhe Financave u abstenua nga deputeti demokrat Sherefedin Shehu, i cili kërkoi që ky ligj t’i rikthehej qeverisë për rishqyrtim.