E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shnajder-Roben, "të padobishmit" duan të pushtojnë botën

Në njëfarë mënyre, ata janë binjakë të ndryshëm. Të dy u nxorrën në shitje nga Reali verën e kaluar dhe shumë menduan se ky ishte një dështim për ta. Por koha vërtetoi të kundërtën dhe për të dy xhevahirët e Holandës në botëror, sezoni i shkuar ishte më i miri ndoshta i gjithë karrierës së tyre. Tashmë të dy janë në garë “dhëmb për dhëmb” për të fituar “Topin e artë”.

Për momentin, kampioni i Interit duket më i favorizuar. Me fanellën zikaltër ka fituar gjithçka të mundshme këtë vit: Ligën e Kampionëve (si lojtari-asist më i mirë), kampionatin dhe Kupën e Italisë. Tashmë kryeson listën e golashënuesve të botërorit afrikan së bashku me David Vilën e Spanjës (5 gola) dhe ka marrë për dore Holandën drejt finales së 11 korrikut. Në gjashtë ndeshje gjithsej, është vlerësuar si më i miri në fushën e lojës.

Megjithë kandidaturat e Mesit, Militos, Vilës, Mylerit dhe Ksavit, kundërshtari më i fortë për t’i marrë çmimin prestigjoz 26-vjeçarit, është Arjen Roben. Fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë me Bajernin e Mynihut, shkëlqeu në Ligën e kampionëve dhe iu kundërpërgjigj me kokë pak minuta më pas golit të Shnajderit në gjysmëfinalen e botërorit të fituar 3-2 përballë uruguajit.

Titujt e fituar dhe golat e shënuar në kampionatin botëror e bëjnë Shnajderin të jetë në avantazh, të paktën për momentin. Gjithsesi, për të prishur “status quo-në” mendon sulmuesi i Uruguajit, Edison Kavani: “Shnajder është shumë i zoti dhe mund ta meritojë ‘Topin e artë’, por mua më impresionoi më tepër Robeni”. Kundërpërgjigjet portieri Muzlera: “Mua më ka pëlqyer gjithnjë Shnajderi”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›