Shohim e bëjmë

Prej gati 2 muajsh jetë, pjesë e koalicionit “E majta për integrim” vazhdon të jetë vetëm LSI-ja. Deri më dje, edhe dy partitë që u reklamuan si më të mundshmet për t’iu bashkuar thirrjes së Ilir Metës, PDS-ja dhe PAD-ja, po i zvarrisin këmbët dhe thonë se ende nuk kanë vendosur nëse do të jenë ose jo pjesë e këtij koalicioni. Të pyetur nga “Korrieri”, Paskal Milo e Neritan Ceka thonë se tani për tani nuk mund të vendoset asgjë, duke e lënë vendimin pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor.
Që në javën e dytë të marsit, pas shkëputjes nga socialistët, Lëvizja Socialiste për Integrim ftonte gjithë të majtët të ishin pjesë e koalicionit “E majta për integrim”. U fol madje, që koalicioni u regjistrua edhe në gjykatë, ku vetë numri një i LSI-së, Ilir Meta, por edhe drejtues të tjerë të LSI-së flisnin për një bashkim të të gjithë të majtëve te ky koalicion. Por që atëherë e deri më sot, asnjë forcë politike nuk i është bashkangjitur këtij blloku të ri politik që u lançua me pretendime të mëdha por që pëson një fund të trishtueshëm. Dy forcat politike që u menduan si më të mundshme për t’iu afruar këtij koalicioni, ishin Partia Demokracia Sociale dhe Partia Aleanca Demokratike. Emrat e tyre komentoheshin përditë nga përfaqësuesit e LSI. Por qysh prej ditës së krijimit të koalicionit e deri më sot, edhe pse shpesh është dukur herë pas here sikur bashkimi tek koalicioni do të vinte, asgjë nuk ka ndodhur. Madje krerët e dy partive i kanë mëshuar sqarimit, se bashkëpunimi me LSI-në ka qenë dhe vazhdon, vetëm për çështjen e reformës zgjedhore. Të pyetur dje nga “Korrieri”, si Milo, ashtu edhe Ceka nënvizojnë se gjithçka do të përcaktohet pas miratimit të Kodit të ri Zgjedhor. “Ne po merremi vetëm me Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe nuk ka negociata për koalicione politiko-elektorale. Pa u vendosur Kodi i ri Zgjedhor, nuk do të ketë lëvizje në drejtim të koalicioneve të ardhshme elektorale”, - deklaron Paskal Milo. Qëndrimi i shfaqur nga kreu i PDS-së përjashton fillimin e një bashkëpunimi, të paktën deri sa të përfundojë Kodi i ri Zgjedhor, por është për t’u vërejtur fakti që, gjithsesi, Milo nuk thotë padyshim që do të bashkohet me koalicionin “E majta për integrim”. Ashtu si kreu i PDS-së, edhe ai i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, thekson se ende nuk mund të shkojë tek LSI-ja. “Ne jemi në Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës. S’ka aleancë politike. Sigurisht që ky bashkëpunim përgatit edhe një koalicion, atë LSI-PAD-PDS. Të dalë njëherë kodi, pastaj të shohim”, - nënvizon presidenti i PAD-së. Më tej, edhe pse është takuar ditët e fundit me kryeministrin Sali Berisha, Neritan Ceka e përjashton bashkëpunimin, të paktën për momentin, me PD-në e PS-në. “Një aleancë me PD-në e PS-në deri më sot është e pamundur”, - saktëson presidenti i PAD-së. Sikundër thonë krerët e dy partive, duhet pritur miratimi i kodit, për të vendosur nëse do t’i përgjigjen pozitivisht ose jo thirrjes së Ilir Metës, për t’iu bashkuar koalicionit “E majta për integrim”. Sipas Paskal Milos, periudha e marrjes së vendimit do të jetë muaji shtator. “Besoj se vendimi nuk do të mund të merret përpara muajit shtator. Deri në muajin korrik do të vazhdojë puna për kodin”, - deklaron Milo. E nëse ndodh vërtet kështu, atëherë të dyja partitë do të duhet të vendosin vetëm pas pushimeve të verës, të ardhmen e aleancave të tyre politike. Deri atëherë, të paktën këto dy parti nuk do të jenë pjesë e koalicionit “E majta për integrim”, të cilit deri më sot nuk i është bashkuar asnjë parti apo deputet i Parlamentit. saqellari@korrieri.com