E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të votojnë emigrantët

Do të votojnë emigrantët, të cilët do të figurojnë si votues në Shqipëri dhe që kanë dokumente të rregullta. Nuk përjashtohet vota për asnjë nënshtetas shqiptar, pavarësisht nëse jeton ose jo në Shqipëri, por që duhet të ketë emrin në listat e votuesve. Kutitë e votimit për emigrantët do të vendosen në përfaqësitë diplomatike shqiptare

Krijimi i mundësisë për votimin e emigrantëve në vendet ku ata jetojnë, sipas republikanëve, është një proces shumë i thjeshtë dhe që nuk përbën një kosto të madhe financiare për shtetin shqiptar. Nënkryetari i Partisë Republikane, Aleksandër Garuli, thotë se është e domosdoshme që në Kodin Zgjedhor të parashikohet edhe votimi për emigrantët shqiptarë në vendin ku ata jetojnë. Sipas Garulit, emigrantët mund të shprehen me votë në përfaqësitë diplomatike shqiptare, ku do të jenë të vendosura 12 kuti, secila në bazë të rajonit. Në këtë mënyrë, emigranti do të votojë në kutinë që do t’i përkasë rajonit nga i cili është edhe vetë emigranti votues. “Me sistemin e ri, parashikohet që Shqipëria të ndahet në 12 rajone. Kështu që pranë përfaqësive tona nëpër botë, mjafton që të jenë 12 kuti votimi për emigrantët, që kanë dokumente të rregullta dhe që janë të regjistruar pranë ambasadave për votim. Është mjaft i thjeshtë votimi”, shpjegon nënkryetari Garuli për “Korrierin”. Në bazë të propozimit që pritet të bëhet nga republikanët gjatë ndryshimeve për Kodin Zgjedhor, në këtë proces do të përfshihen vetëm ata emigrantë që jetojnë me dokumente të rregullta jashtë Shqipërisë dhe që rezultojnë në listat e votimit në Shqipëri. I pyetur në lidhje me koston që mund të ketë një proces i tillë, Garuli thotë se ky proces ka një kosto të vogël për shtetin shqiptar. “Është qesharake që nga segmente politike të ndryshme të përdoret si argument kostoja financiare për këtë problem. Po flitet për 4-5 milionë euro, që zakonisht shkon kostoja e votimeve të përgjithshme, kurse ky proces mund të kushtojë pak a shumë rreth 10 për qind të kësaj shume”, shpjegon Garuli. Ndërkohë, sipas propozimit të PR-së, edhe emigrantët do të pajisen me karta identiteti, si shtetasit e tjerë që jetojnë në Shqipëri, dhe me këto karta ata do të votojnë në vendin ku jetojnë. Nënkryetari i PR-së thekson se propozimi i tyre parashikon që shtetasit, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, të votojnë njësoj sikurse të jenë brenda territorit shqiptar. “Emigrantët sot regjistrohen. Edhe në votimin e shkuar, emigrantët kanë qenë nëpër lista. Në listë do të kenë emrin të gjithë shtetasit, që në bazë të ligjit kanë të drejtën e votës”, thotë Garuli. Ndërkohë, ai sqaron gjithashtu, se ata persona të cilët nuk janë nga Shqipëria dhe kanë marrë nënshtetësinë shqiptare, sikurse janë shqiptarët nga Kosova apo ata nga viset e tjera (këta e kanë marrë shumë nënshtetësinë krahasuar me shtetas të tjerë), do të votojnë për rajonin në të cilin janë regjistruar këtu në Shqipëri. “Ai voton në rajonin ku dhe figuron. Në rast se ka ndryshuar qytet dhe bëhet pjesë e një rajoni tjetër, atëherë ai do të bëjë kërkesën për t’u regjistruar në rajonin ku ai bën pjesë dhe do të votojë për atë rajon. Pra, ai do të regjistrohet në konsullatë, do të votojë po për atë rajon në të cilin është i regjistruar”, përfundon Garuli. Ndërkohë, propozimi i republikanëve nuk ka marrë akoma një formë përfundimtare, pasi pritet që të vendosen edhe pikat teknike të propozimit për mënyrën e votimit të emigrantëve shqiptarë.

Cilët emigrantë mund të votojnë?

Në bazë të propozimit të Partisë Republikane, të gjithë emigrantët të cilët jetojnë me dokumente të rregullta jashtë Shqipërisë dhe që figurojnë si votues të ligjshëm në listat zgjedhore në vend, do të votojnë pranë përfaqësive diplomatike ku ata jetojnë. Emigrantët e regjistruar do të mund të votojnë si qytetarë të rajonit në të cilin bëjnë pjesë, ndërsa në përfaqësitë diplomatike në shtetin ku ata jetojnë do të jenë të vendosura 12 kuti votimi, në bazë të rajonit. Në këtë mënyrë, emigrantët do të votojnë sikurse të ishin në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›