Shokon Bill Gates: Askush nuk eshte gati per ndryshimet qe do sjelli AI

Asnjë qeveri në botë nuk është vërtet e përgatitur për ndryshimet që Inteligjenca Artificiale do të sjellë në shoqëri. Paralajmërimi vjen nga bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, i cili në një intervistë për Reuters tha se qeveritë kanë mbetur shumë prapa përballë zhvillimit të shpejtë të kësaj teknologjie.
Gates, i cili deri vonë ishte ndër zërat më optimistë për potencialin e Inteligjencës Artificiale, tashmë shpreh shqetësime më të mëdha për ndikimin e saj në tregun e punës, rrezikun e sulmeve të mundshme dhe varësinë që mund të krijohet nga “shoqëruesit” dixhitalë të AI-së.
“Nuk mendoj se ndonjë qeveri po merret me këtë në masën që duhet të merret”, tha Gates, duke shtuar se qeveritë kanë mbetur shumë prapa në këtë çështje.
Megjithatë, ai theksoi se AI ka edhe një potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar njerëzit më të varfër në botë, nëse përdoret në mënyrën e duhur dhe nëse sigurohet një akses sa më i barabartë.Gates tha se shqetësimet e tij i ka diskutuar me liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe ekipin e tij. Ai gjithashtu tha se po përpiqet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping më vonë gjatë këtij viti.
Potenciali i AI-së në shëndetësi
Pavarësisht paralajmërimeve, Gates dhe fondacioni i tij besojnë se Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë në ngushtimin e hendekut mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra, në vend që ta thellojë atë.
Programi prej 1 miliard dollarësh është pjesë e një plani më të gjerë të Fondacionit Gates, i cili ka njoftuar se do të shpenzojë rreth 9 miliardë dollarë në vit. Fondet e reja do të përdoren për të mbështetur partnerët që punojnë në fusha si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia.
Një tjetër synim është krijimi i bazave të të dhënave të nevojshme për zhvillimin e IA-së, duke përfshirë mundësinë që modelet e mëdha gjuhësore të funksionojnë në të gjitha gjuhët që fliten në botë.
“Në sektorin e shëndetësisë, është e vështirë të mbivlerësohet madhësia e mundësive”, tha Gates, duke iu referuar përdorimit të IA-së për të mbështetur punonjësit e kujdesit shëndetësor, si dhe për zbulimin e barnave dhe vaksinave të reja.
Por ai paralajmëroi se qeveritë duhet të bashkëpunojnë për të shmangur probleme serioze, duke e krahasuar zhvillimin e AI-së me skenarët e filmave ku një kërcënim i jashtëzakonshëm i detyron vendet rivale të bashkohen.
“AI është në një farë mënyre si kjo inteligjencë aliene.
Ata janë këtu dhe ne më mirë të bëjmë atë që i shohim të bëjnë në këto filma”, tha ai.