Shoqatat e kineastëve: Jo Ferit në krye
Tri shoqata i janë drejtuar Ministrit të Kulturës dhe kanë vënë në dijeni kryeministrin, ai që emëron kreun e Qendrës Kombëtare Kinematografike, se nëse Feri rizgjidhet, ato do të bojkotojnë zgjedhjen e Këshillave Miratues të Projekteve
Një grup kineastësh i kanë kërkuar ministrit të Kulturës dhe kryeministrit, të mos propozojnë dhe emërojnë për së dyti kryetar të Qendrës Kombëtare Kinematografike, Xhevdet Ferin.
Në kërkesën e tyre ata shkruajnë se zoti Feri nuk ka treguar aftësi në drejtimin e kinematografisë shqiptare nëpërmjet Qendrës Kombëtare Kinematografike. "Derisa kryeministri të vendosë se cili do të jetë kryetari i ri, Shoqatat "Lumiere", Shoqata e Filmit të Animuar dhe e Filmit Dokumentar, nuk do të propozojnë asnjë kandidat për Këshillin Miratues të Projekteve."
Po ky njoftim i është dërguar edhe vetë Ferit të cilit i është kërkuar të dalë në një konferencë për shtyp dhe të tregojë transparencë në drejtimin e Qendrës. Dhe shtojnë: "Ka ardhur koha që në drejtimin e QKK-së të vendoset një kineast dhe jo një aktor."
Regjisori Saimir Kumbaro tha për "Shekullin" se ky është qëndrimi që kineastët mbajnë në prag të zgjedhjeve të reja në Qendër. Mandati i kryetarit merr fund sot, 1 dhjetor, po ashtu edhe i KMP ose bordit.
Përse këto shoqata, në emër të të cilave janë përballur me ministrin e Kulturës, Saimir Kumbaro, Vladimir Prifti dhe Esat Mysliu, kanë dalë me një vendim të tillë, kundër një njeriu dhe përse nuk hedhin për diskutim emra të tjerë, të rinj apo kandidatura që do të ndihmonin edhe Ministrin e ri për të marrë një vendim, që do të ishin dy propozime tek tryeza e Berishës?
Ai e emëron titullarin e Qendrës midis dy kandidaturave që propozohen nga Ministria e Kulturës.
Ligji "Për Kinematografinë" përcakton që mandati i kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë është 4-vjeçar, i rinovueshëm. Ndërsa anëtarët e Këshillave Miratues të Projekteve, tre të tillë, për filmin Artistik Dokumentar dhe të Animuar, me mandat 2-vjeçar, zgjidhen nga shoqatat e kineastëve.
Për pretendimet dhe motivet që i shtyjnë t'u drejtohen dy strukturave të tilla vendimmarrëse, shoqatat i referohen ligjit "Për Kinematografinë" të vitit 1996.
Në një nga pikat e marra në shqyrtim është financimi i kineastëve të huaj. Shoqatat kujtojnë se detyrë e QKK-së është përcaktimi i buxhetit dhe shpërndarja e fondit për projektet që përmbushin kërkesat e rregullores. Por "po vihet re që po financohen me shuma të mëdha regjisorë të huaj.
Kjo gjë ka nxjerrë jashtë loje kineastët që për dekada kanë prodhuar filma shqiptarë që ende sot mbushin ekranet e mbi 60 televizioneve që shihen në territorin e Shqipërisë. Rasti më flagrant në kundërshtim me ligjin është ai i një regjisori të panjohur gjerman i cili financohet nga QKK me një buxhet rreth 300 000 euro. Ky rast lë shkas të mendosh për abuzim të pastër."
Shoqatat kritikojnë politikën e Qendrës në këtë 4-vjeçar të Ferit kryetar edhe kur flasin për mungesën e kualifikimeve dhe specializimeve të kineastëve të rinj. Sipas tyre "QKK quan kualifikim dhe financon studentët e Akademisë së Arteve që edhe pse nuk kanë kryer shkollën dhe nuk janë diplomuar, marrin financim nga QKK! Kineast i ri quhet ai ish student që ka kryer shkollën dhe është diplomuar me dëshminë e një të talentuari."
Si përfundim, propozimet e shoqatave janë për dy "personalitete të kinematografisë që kanë vizion për të ardhmen e kinematografisë shqiptare duke iu dhënë prioritet kineastëve të rinj të cilët sot janë të shumtë por në vështirësi për të realizuar projektet e tyre."
Propozimi për një personalitet nuk është propozim. Përveç Ferit, i cili deklaron edhe në intervistën e sotme tek "Shekulli", nuk ka tjetër kandidat tek Ministri i Kulturës. Surprizë ndaj këtyre pretendimeve të shoqatave, vjen përgjigjja kryetarit të QKK-së Xhevdet Feri.
Zyra e tij i është përgjigjur së fundi shoqatave me këtë "NJOFTIM" të cilin po e bëjmë publik këtu: "Në përgjigje të shkresës së QKK nr. 365, datë 16.11.2009, mbi ushtrimin e funksionit të Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për periudhën në vijim, me shkresën e datës 26.11.2009, nr. 6605/2 Prot, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferri, bën me dije se z. Xhevdet Feri do të vazhdojë në detyrën e Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë."
Nuk do ishte jashtë natyrës së administratës së shtetit shqiptar që të shpallë fitues konkurse me një kandidat, madje ato konkurse që parashikon ligji, të mos kryhen.