E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë e votimit, PS sot protestë në Athinë

Partia Socialiste ka vendosur që të shtrijë protestën e saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Tubimi, sot në orën 17:30


Protesta është nismë e socialistëve shqiptarë të Greqisë dhe në të nuk pritet të marrë pjesë Edi Rama


TIRANË - Protesta e opozitës me moton "Dua të shoh votën time!" mbërrin në Greqi. Socialistët e Greqisë, por jo vetëm, do të tubojnë sot në Athinë përballë zyrës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSCE), për hapjen e kutive të votimit dhe bërjen e transparencës së zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara në Shqipëri më 28 Qershor.


Zhvillimi i këtij manifestimi, pikërisht në Athinë, bëhet me rastin e takimit të ministrave të jashtëm, si dhe përfaqësues të nivelit të lartë të OSBE-së nga 56 shtete pjesëmarrëse që do të zhvillohet në kryeqytetin helen në datat 1 dhe 2 dhjetor.


Protesta


Në pritje të skadimit të ultimatumit dhjetëditor, Partia Socialiste ka vendosur që të shtrijë protestën e saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si një përpjekje për të njohur më nga afër faktorin ndërkombëtar, lidhur me kërkesat e saj që kanë të bëjnë me transparencën e zgjedhjeve, si rruga e vetme për t'i kthyer legjitimitetin institucioneve të lindura prej tyre.


Me këtë qëllim, socialistët do të organizojnë sot në Athinë një protestë paqësore para zyrës së OSBE-së, ku pritet të mbahet një takim tepër i rëndësishëm dyditor i ministrave të jashtëm të vendeve, që janë anëtarë të OSBE-së. Protesta organizohet nga dega e PS-së në Greqi dhe në të janë ftuar të marrin pjesë përveç anëtarëve të saj edhe emigrantë të tjerë shqiptarë që jetojnë atje.


Për këtë qëllim, drejtuesit e PS-së në Greqi i kanë bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që kanë emigruar në Greqi, që t'i bashkohen kësaj proteste për të kërkuar hapjen e kutive para përfaqësuesve të lartë të OSBE-së.


Grumbullimi i protestuesve është parashikuar të bëhet në orën 17:30, në vendin e quajtur stacioni autobusëve "Agjo Kozmas" përballë aerodromit të vjetër. Më pas, ata, të drejtuar nga krerët e PS-së në Greqi, do t'i drejtohen selisë së OSBE-së, ku dhe do të hedhin parulla për hapjen e kutive dhe votën e lirë.


Protestën e ka përshëndetur edhe Partia Socialiste, dega Veria, e cila edhe ajo ka ftuar dje të gjithë emigrantët që të jenë të pranishëm.


"Partia Socialiste, dega Veria, ju bën thirrje simpatizantëve të PS-së dhe gjithë emigrantëve shqiptarë të jenë në këtë protestë, pasi në Shqipëri, qeveria shqiptare po shkel ligjet dhe Kushtetutën, nuk lejon të numërojë votat e zgjedhësve shqiptarë.


Prandaj të bashkohemi të gjithë së bashku nën moton "Dua të shoh Votën time", - thuhej në një deklaratë të PS-së, dega Veria, një qytet në Greqinë Veriore. Ndërkohë që mësohet se për organizimin e saj janë angazhuar edhe disa deputetë socialistë nga Shqipëria.


Megjithatë, protesta është nismë e socialistëve shqiptarë të Greqisë dhe në të nuk pritet të marrë pjesë kryetari i PSSH-së, Edi Rama, as edhe ndonjë nga drejtuesit e lartë të kësaj partie. Pjesë e protestës pritet të jenë dhe shoqatat e emigrantëve që operojnë në Greqi.


Takimi


Ministrat e jashtëm, si dhe përfaqësues të nivelit të lartë të OSBE-së, 56 shtetet pjesëmarrëse, do të takohen sot në Athinë për të diskutuar të ardhmen e sigurisë evropiane në Këshillin e Ministrave të kësaj organizate.


Ministrat e Jashtëm të OSBE-së do të miratojnë vendime dhe do të japin udhëzime politike në një gamë të gjerë temash, duke përfshirë të gjithë aktivitetin e saj. Takimi i këtij niveli zhvillohet çdo vit në vendin që ka dhe kryesimin e radhës të kësaj organizate.


Duke përfaqësuar kryesinë greke të OSBE-së, ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Droutsas, u tha gazetarëve dje se takimi vjen në një moment kritik dhe nënvizoi rëndësinë e një qasje të bashkërenduar operative për të adresuar sfidat e sigurisë evropiane.


Pjesë e këtij takimi do të jetë dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, njëherësh shefi i diplomacisë shqiptare, i cili gjendet në Greqi, që prej ditës së djeshme.


Protesta e socialistëve që është paralajmëruar për sot, pritet ta vërë Metën në një pozicion të vështirë para homologëve të tij, për vetë faktin se qeveria në të cilën ai bën pjesë nuk i ka dhënë ende zgjidhje një debati të tillë, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për dialog.


Pas protestës së Athinës, socialistët do të përcaktojnë edhe axhendën e veprimeve të mëtejshme në kërkim të hapjes së kutive të votimit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›